Transmetuar më 27-08-2026, 08:09

27 gusht 2026 – Papa Leone XIV është përfshirë në listën e revistës amerikane “Vanity Fair” për personalitetet më të veshura mirë të vitit 2026.

Kreu i Kishës Katolike është renditur në kategorinë “Origjinalët”, ku revista përfshin 10 figura të cilat i konsideron ndër personat me stilin më të veçantë, të guximshëm dhe inovativ.

Në të njëjtën kategori me Leonen janë edhe muzikantet Björk dhe Rosalía, si dhe regjisori Spike Lee.

“Vanity Fair” e ka vlerësuar stilin jokonvencional të papës, duke vënë në dukje mënyrën se si ai ka ndërthurur veshjen tradicionale me elementë më të pazakontë.

Revista rikthen në vëmendje edhe periudhën përpara zgjedhjes së tij si papë, kur Leone XIV, i njohur atëherë si ati Bob, ishte dalluar për një stil më informal. Sipas “Vanity Fair”, ai ka ruajtur këtë qasje edhe pas marrjes së detyrës, duke u shfaqur herë pas here edhe me kapele bejsbolli.

Nuk është vlerësimi i parë për stilin e papës

Leone XIV nuk është përfshirë për herë të parë në renditje të këtij lloji. Në vitin 2025, “Vogue” e kishte renditur në listën e 55 personave më të veshur mirë të vitit.

Në atë rast, revista vlerësoi rikthimin e tij te tradita papale për veshjet liturgjike, duke e dalluar stilin e tij nga qasja më modeste e paraardhësit, Papa Françesku.

Edhe “The New York Times” e përfshiu Leonen ndër njerëzit më elegantë të vitit 2025, në vitin kur ai u zgjodh në krye të Kishës Katolike.

Leone XIV u zgjodh papë më 8 maj 2025, pas vdekjes së Papa Françeskut. Ai është amerikani i parë që është zgjedhur në Karrigen e Shën Pjetrit.

Përveç stilit, Papa Leone XIV është i njohur edhe për pasionin e tij për bejsbollin. Ai është tifoz i Chicago White Sox, ndërsa një fotografi e tij me kapelën e ekipit të qytetit ku u lind u bë veçanërisht e komentuar.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit