Transmetuar më 27-08-2026, 08:03

27 gusht 2026 – Mbi 80% e territorit të Qarkut të Korçës rezulton pa popullsi banuese në qelizat standarde territoriale prej 1 kilometër katror, duke shënuar nivelin më të lartë në vend.

Të dhënat janë pjesë e Raportit Përfundimtar të Reformës Administrativo-Territoriale 2.0 dhe bazohen në rezultatet e Censit 2023, të analizuara sipas rrjetit standard europian 1×1 kilometër.

Pas Korçës, përqindjen më të lartë të territorit pa banorë e kanë Gjirokastra me 77,5%, Vlora me 71,4% dhe Kukësi me 70,7%.

Edhe qarqet e tjera paraqesin një përqendrim të fortë të popullsisë në zona të caktuara. Në Shkodër, 67,2% e territorit rezulton pa banorë, ndërsa në Dibër kjo shifër arrin në 62,3%. Në Berat, 60,8% e territorit nuk ka popullsi në qelizat 1 km².

Lezha dhe Elbasani qëndrojnë më pranë mesatares kombëtare, me përkatësisht 54,3% dhe 53,6% të territorit pa banorë.

Në skajin tjetër renditet Durrësi, ku vetëm 20,6% e sipërfaqes rezulton pa popullsi. Pas tij vjen Fieri me 39,9%, ndërsa Qarku i Tiranës ka 43,7% të territorit pa banorë.

Në nivel kombëtar, raporti vlerëson se rreth 57% e territorit të bashkive shqiptare nuk ka popullsi në qelizat 1×1 kilometër. Shifrat tregojnë se popullsia nuk është shpërndarë në mënyrë uniforme në të gjithë territorin, por është përqendruar kryesisht në qytete, zona fushore, lugina dhe korridore të caktuara banimi.

Dukuria është më e theksuar në qarqet malore dhe në juglindje të vendit. Korça është një prej shembujve më të dukshëm: krahas qendrës urbane të konsoliduar, qarku ka një territor të gjerë me popullsi të rrallë ose të munguar.

Kjo shpërndarje e popullsisë paraqet një sfidë edhe për administrimin territorial. Bashkitë mund të kenë qendra urbane të dendura, ndërsa në të njëjtën kohë të administrojnë zona të mëdha me shumë pak banorë. Kjo mund të rrisë kostot për ofrimin e shërbimeve, mirëmbajtjen e rrugëve, transportin, emergjencat dhe shërbimet sociale.

Raporti thekson se dendësia tradicionale e popullsisë për kilometër katror nuk është e mjaftueshme për të kuptuar mënyrën se si është shpërndarë popullsia në territor. Për këtë arsye, analiza plotësohet me tregues të përqendrimit dhe dendësisë së perceptuar të popullsisë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit