

SARANDË — Një 46-vjeçar është dhunuar nga disa të rinj pranë portës së shembur të Kakomesë, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e përgjegjësve.
I dëmtuari, Gentian Papagjika, ka deklaruar se në momentin e incidentit ishte duke filmuar me telefon në zonë. Sipas dëshmisë së tij, disa të rinj që po udhëtonin me automjet në drejtim të plazhit të Kakomesë kanë ndaluar pranë tij dhe i kanë kërkuar shpjegime.
“Pse filmon?”, mësohet t’i kenë thënë 46-vjeçarit. Situata, sipas dëshmisë së Papagjikës, është përshkallëzuar më pas me fyerje dhe kërcënime, duke përfunduar në përplasje fizike.
Gjatë dhunës, 46-vjeçari ka pësuar dëmtime dhe fraktura në trup.
Pas ngjarjes, Papagjika është transportuar fillimisht në Sarandë, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Për shkak të dëmtimeve të pësuara, ai është dërguar më pas në Janinë, për trajtim më të specializuar.
Papagjika është bërë i njohur edhe për pjesëmarrjen e tij në protestat e zhvilluara lidhur me çështjen e portës së Kakomesë.
Ndërkohë, policia ka nisur kërkimet për personat e dyshuar për dhunën dhe, sipas të dhënave paraprake, ata janë identifikuar. Autoritetet po punojnë për sqarimin e rrethanave të konfliktit dhe përgjegjësive konkrete të personave të përfshirë.
Hetimet vijojnë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






