Transmetuar më 26-08-2026, 22:01

TIRANË — Janë publikuar pamjet e momentit kur Ergys Agasi, i arrestuar këtë të mërkurë në Durrës, mbërrin në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës.

Në video, Agasi shfaqet i rrethuar nga forca të shumta policie, me pranga në duar, shapka, një bluzë të bardhë dhe pantallona të shkurtra, teksa ngjit shkallët e godinës së policisë.

Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës kanë mbërritur edhe agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të cilët pritet të kryejnë procedurat për ekzekutimin e masës së sigurisë ndaj tij.

U arrestua në Durrës pas ndjekjes nga Elbasani

Agasi u arrestua mbrëmjen e së mërkurës në zonën e Plepave, në Durrës, ku ndodhej pasagjer në një automjet të drejtuar nga ish-efektivi i policisë Uljan Shpataraku.

Sipas të dhënave të bëra publike nga policia, Agasi ishte lokalizuar fillimisht në Elbasan, ndërsa ndjekja vijoi në drejtim të Durrësit, ku operacioni përfundoi me arrestimin e dy personave.

Agasi ishte shpallur në kërkim që prej dhjetorit 2025, kur SPAK lëshoi urdhër-arrestin ndaj tij në kuadër të hetimeve për dosjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Dyshimet e SPAK

Prokuroria e Posaçme dyshon se Agasi, së bashku me biznesmenin Ermal Beqiraj, ka pasur rol në një grup të strukturuar kriminal të dyshuar për manipulimin e procedurave të tenderimit të AKSHI-t.

Hetimi përfshin edhe dyshime për vepra të tjera penale, ndërsa roli konkret i secilit prej personave të përfshirë pritet të përcaktohet gjatë procedurave gjyqësore.

Ndërkohë, Uljan Shpataraku ishte shpallur në kërkim më 6 gusht, pas një incidenti në Dhërmi. Sipas të dhënave të bëra publike, ai dyshohet se pas një konflikti në një lokal kishte kërcënuar me armë kamarierin dhe administratorin.

Personat e përfshirë në hetim prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit