

DURRËS — Janë publikuar pamjet e para të Ergys Agasit pas arrestimit të tij në Durrës, në kuadër të operacionit të Policisë së Shtetit për kapjen e personit të shpallur në kërkim nga SPAK.
Në fotografitë e publikuara, Agasi shfaqet me pranga në duar dhe brenda një automjeti të Policisë, ndërsa po shoqërohej pas arrestimit.
Agasi u arrestua në zonën e Plepave, ku u kap brenda një automjeti së bashku me ish-zyrtarin e policisë Uljan Shpataraku. Sipas të dhënave të bëra publike nga autoritetet, dy personat kishin udhëtuar nga Elbasani në drejtim të Durrësit, përpara se të lokalizoheshin dhe ndaloheshin nga forcat e policisë.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, të finalizuar nga strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me SPAK.
Agasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t, ku ndaj tij janë ngritur dyshime për përfshirje në veprimtari kriminale të lidhura me procedurat e tenderimit.
Pas arrestimit, Agasi është shoqëruar për procedurat e mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet e SPAK vijojnë.
Personat nën hetim prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.



Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






