

DURRËS — Policia e Shtetit ka dhënë detaje zyrtare për arrestimin e biznesmenit Ergys Agasi, një prej personave të shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e AKSHI-t.
Bashkë me Agasin është arrestuar edhe Uljan Shpataraku, ish-zyrtar i Policisë së Shtetit, i cili udhëtonte në të njëjtin automjet me personin e shpallur në kërkim.
Operacioni, i koduar “The Wanted”, u finalizua nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës dhe strukturat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me SPAK.
Në njoftimin zyrtar, policia bën me dije se në Durrës u kap shtetasi E. A., i shpallur në kërkim nga SPAK, ndërsa në kuadër të operacionit u kap dhe u arrestua edhe shtetasi U. Sh.
Nga Elbasani në Durrës, si u ndoqën
Sipas të dhënave të bëra publike, Agasi u pikas fillimisht nga efektivët e Forcës Operacionale në Elbasan.
Pas lokalizimit të automjetit, ndjekja vijoi në drejtim të Durrësit, përmes Peqinit dhe Rrogozhinës. Operacioni përfundoi në zonën e Plepave, në Durrës, ku Agasi dhe Shpataraku u arrestuan.
Policia nuk ka dhënë detaje të tjera mbi momentet e ndjekjes, ndërsa hetimet vijojnë në bashkëpunim me SPAK.
Shpataraku, ish-zyrtar i Policisë së Shtetit
Uljan Shpataraku është një ish-punonjës i Policisë së Shtetit. Sipas të dhënave të bëra publike, më 6 gusht ai ishte shpallur në kërkim nga Policia e Himarës, pas një kallëzimi të bërë nga punonjës të një hoteli në Dhërmi.
Punonjësit e hotelit kishin pretenduar se ishin kanosur dhe kërcënuar pas një debati verbal me Shpatarakun.
Më herët, më 20 maj, Shpataraku ishte përjashtuar nga Policia e Shtetit me urdhër të drejtuesit Skënder Hita, pasi kishte qenë i pezulluar. Ai mbante detyrën e asistentit në Departamentin për Teknologjinë e Informacionit në Policinë e Shtetit.
Dosja e AKSHI-t
Në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t janë nën hetim edhe ish-drejtuesja e institucionit Mirlinda Karçanaj dhe biznesmeni Ermal Beqiraj, i cili u arrestua një muaj më parë në Francë.
Sipas hetimeve, ndaj personave të përfshirë janë ngritur dyshime për një sërë veprash penale, ndër të tjera grup i strukturuar kriminal, konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje e barazisë në tendera dhe pastrim parash.
Hetimet e SPAK vijojnë për të përcaktuar rolin e secilit prej personave të përfshirë në këtë çështje.
Personat nën hetim prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






