

Pas rreth nëntë muajsh heshtje publike, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj pritet të rikthehet në një intervistë televizive, e cila do të zhvillohet nga arratia.
Gazetari Çim Peka ka njoftuar se intervista me Ahmetajn do të transmetohet më 7 shtator dhe se, sipas tij, do të përmbajë materiale të reja, përfshirë audiopërgjime dhe dokumente.
Peka e ka bërë njoftimin përmes rrjeteve sociale, ku ka publikuar edhe një fotografi me ish-zëvendëskryeministrin.
“U kry. Bëhuni gati për dt 7 Shtator. Audio-përgjime, dokumenta, gjithçka!”, shkruan Peka në postimin e tij.
Intervista e fundit në janar
Dalja e fundit publike e Ahmetajt ishte në janar 2026, kur ai foli për disa prej zhvillimeve politike dhe hetimore në vend. Në atë intervistë ai u ndal edhe te biznesmeni Ergys Agasi, i cili është arrestuar këtë të mërkurë në kuadër të një hetimi të SPAK.
Rikthimi i Ahmetajt në ekran vjen në një moment kur emri i tij vijon të jetë pjesë e një prej çështjeve më të bujshme të drejtësisë shqiptare.
Në kërkim nga SPAK prej vitit 2023
Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim nga SPAK që prej korrikut 2023. Ai është larguar nga Shqipëria dhe ndodhet në Zvicër, ku ka ndjekur edhe procedurat për kërkimin e azilit politik.
Në kuadër të hetimeve, SPAK ka vendosur masa sekuestroje mbi disa prej pasurive të lidhura me Ahmetajn, përfshirë vila, apartamente dhe llogari bankare.
Tashmë vëmendja është përqendruar te intervista e 7 shtatorit, ku sipas njoftimit të gazetarit Çim Peka pritet të publikohen edhe materiale të reja dokumentare dhe audiopërgjime.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






