

TIRANË — Këshilli i Lartë Gjyqësor ka miratuar rritjen e pagës referuese për gjyqtarët në Shqipëri, vendim që ka shkaktuar reagim të fortë nga Partia Demokratike.
Sipas vendimit të KLGJ-së, paga referuese e gjyqtarëve rritet me 65,600 lekë, duke kaluar nga 156,800 në 222,425 lekë. Vendimi parashikon që ndryshimi të hyjë në fuqi nga 1 gushti 2026.
Kësaj shume i shtohet edhe shtesa për nivelin e kualifikimit, në masën 14,000 lekë.
Vendimi është miratuar gjatë mbledhjes së së mërkurës me 9 vota pro dhe asnjë kundër.
KLGJ kërkon edhe kompensimin e diferencave
Përveç rritjes së pagës referuese, KLGJ ka miratuar edhe propozimin për kompensimin e diferencave financiare të krijuara për periudhën 1 prill 2023 – 31 korrik 2026.
Sipas KLGJ-së, kjo periudhë lidhet me pagën që, sipas vendimit të Këshillit, nuk është reflektuar në masën e duhur.
Bardhi: Ngërç serioz institucional
Pas vendimmarrjes së KLGJ-së ka reaguar kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Bardhi e ka cilësuar vendimin si një “akt të paprecedentë” dhe ka ngritur pretendimin se bëhet fjalë për një shkelje të rëndë me pasoja.
Sipas tij, mënyra se si është marrë vendimi krijon një ngërç serioz institucional dhe ngre pikëpyetje mbi kompetencat e institucioneve në përcaktimin e pagave të magjistratëve.
Debati pritet të vijojë, ndërsa vendimi i KLGJ-së tashmë sjell një efekt të drejtpërdrejtë financiar për sistemin gjyqësor dhe buxhetin e shtetit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






