Transmetuar më 26-08-2026, 19:51

Kapet në Durrës biznesmeni Ergys Agasi, ishte në kërkim nga SPAK! Në makinë me të, ish-zyrtari i Policisë Uljan Shpataraku

DURRËS – Arrestohet në Durrës Ergys Agasi i shpallur në kërkim nga SPAK në lidhje me dosjen AKSHI.

Burime për noa.al thanë se operacioni për kapjen e Ergys Agasit u krye nga policia e Shtetit në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK.

Ergys Agasi akuzohet për abuzime me tenderët e AKSHI së bashku me Ermal Beqirajn.

Forcat e Posaçme Operacionale kanë vënë në pranga biznesmenin Ergys Agasi, i shpallur në kërkim pas një mase sigurie “Arrest në burg” të lëshuar me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.

Noa.al mëson se Agasi është lokalizuar dhe arrestuar në zonën e Plepave, në Durrës, ndërsa po udhëtonte me automjetin e tij.

Operacioni i jep fund periudhës gjatë së cilës masa e sigurisë ndaj tij nuk kishte mundur të ekzekutohej.

Agasi është një prej emrave kryesorë të dosjes së SPAK që lidhet me dyshimet për abuzime me tenderat publikë, mes tyre edhe prokurime të AKSHI-t, si dhe me akuza të tjera që përfshijnë konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, heqjen e paligjshme të lirisë dhe pastrimin e parave.

Me Agasin në makinë ishte Uljan Shpataraku

Një tjetër detaj që merr rëndësi nga operacioni është personi që ndodhej në automjet së bashku me Agasin.

Burime bëjnë me dije se me biznesmenin udhëtonte Uljan Shpataraku, ish-zyrtar i strukturave të Policisë së Shtetit dhe një emër i njohur për shkak të funksioneve që ka mbajtur më herët.

Shpataraku ka ushtruar detyrën e Asistentit të Drejtorit të Departamentit për Teknologjinë e Informacionit (IT) në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Karriera e tij në Policinë e Shtetit u ndërpre pas procedurave disiplinore.

Më 4 mars 2026, ai u pezullua nga detyra me urdhër të ish-drejtorit të komanduar të Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga.

Më pas, Shpataraku u përjashtua përfundimisht nga administrata e Policisë së Shtetit me firmën e Drejtorit të Përgjithshëm, Skënder Hita.

Për çfarë akuzohet Ergys Agasi

Sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme, Ergys Agasi dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, aktiviteti i të cilit lidhej, mes të tjerash, me ndërhyrjen në procedurat e prokurimeve publike.

Akuzat e ngritura ndaj tij lidhen me disa vepra të rënda penale.

Mes tyre është “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, për shkak të dyshimeve për ndërhyrje në gara publike me synim favorizimin e subjekteve të caktuara.

Një tjetër akuzë është “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, pasi hetuesit dyshojnë se janë përdorur presioni, kërcënimet apo dhuna për të larguar konkurrentë nga tregu.

Dosja përmban gjithashtu akuzën e “Heqjes së paligjshme të lirisë”, si dhe atë të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Sipas SPAK, veprimet e dyshuara janë kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Agasi dhe Ermal Beqiraj, dy emrat kryesorë të së njëjtës dosje

Arrestimi i Ergys Agasit në Durrës vjen pas kapjes në Francë të biznesmenit Ermal Beqiraj, një tjetër person i kërkuar për të njëjtën çështje penale.

Dy biznesmenët konsiderohen nga SPAK si figura të rëndësishme të së njëjtës dosje dhe dyshohet se kanë bashkëpunuar në skemën që po hetohet.

Nga tetë personat ndaj të cilëve janë ngritur akuza në kuadër të kësaj çështjeje, ku përfshihen edhe zyrtarë publikë, Agasi dhe Beqiraj kishin mbetur jashtë arrestimeve të para.

Sipas akuzës, skema kishte si objektiv ndërhyrjen në tendera publikë, kufizimin ose eliminimin e konkurrencës përmes presionit dhe dhunës, si edhe pastrimin e të ardhurave që dyshohet se buronin nga aktiviteti kriminal.

Ndaj Agasit dhe Beqirajt është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për akuza që përfshijnë:

shkeljen e barazisë në tendera apo ankande publike;

konkurrencën e paligjshme nëpërmjet dhunës;

heqjen e paligjshme të lirisë;

pastrimin e produkteve të veprës penale;

kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Pronat, automjeti, biznesi dhe llogaritë e sekuestruara

Në kuadër të hetimit, SPAK ka vendosur nën sekuestro një numër të madh pasurish që lidhen me Ergys Agasin.

Mes tyre rezultojnë sipërfaqe të konsiderueshme toke, pyje, troje, ndërtesa, apartamente dhe garazhe në Tiranë, Durrës dhe Vlorë.

Në listën e pasurive të sekuestruara përfshihen:

një pasuri pyll prej 26 690.9 m², me ndërtesë 346.2 m², në Qeha-Shytaj, Petrelë;

një pasuri pyll prej 5 288.1 m², me ndërtesë njëkatëshe 182.2 m², në Qeha, Petrelë;

një tjetër pasuri pyll prej 8 956 m², me ndërtesë njëkatëshe 568 m², në Qeha, Petrelë;

një sipërfaqe pylli prej 8 260.2 m², me ndërtesë dykatëshe 490.2 m²;

një pasuri pyll prej 911.3 m², me ndërtesë 350.8 m²;

një pasuri pyll prej 9 316.1 m², me ndërtesë dykatëshe 192.8 m²;

truall prej 406.34 m² me ndërtesë në Lundër, Tiranë;

tokë arë me sipërfaqe 10 300 m²;

truall prej 400 m² në zonën kadastrale 8518 në Durrës;

ndërtesë me sipërfaqe totale 165 m² në Durrës;

disa apartamente, garazhe dhe troje në Tiranë e Durrës;

truall dhe ndërtesë në Gjilekë, Vlorë.

Nën sekuestro është vendosur gjithashtu një automjet Land Rover Defender, prodhim i vitit 2023, subjekti tregtar “E.A.S”, si edhe llogari bankare në OTP Bank, Credins Bank dhe BKT.

Me arrestimin e Agasit, organet ligjzbatuese kanë ekzekutuar tashmë masën e sigurisë ndaj një prej personave që konsiderohej ndër më të kërkuarit e kësaj dosjeje, ndërsa hetimet e SPAK për përgjegjësitë individuale dhe mekanizmin e dyshuar të skemës vijojnë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit