

GREQI — Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë që tronditi komunitetin shqiptar në Greqi, ku 44-vjeçarja Emsa Meço u vra me thikë nga ish-bashkëshorti i saj, 53-vjeçari Bujar Meço, në zonën e Rodopit.
Sipas raportimeve të mediave greke, 44-vjeçarja ishte kthyer në banesën familjare për të festuar ditëlindjen e vajzës së tyre 16-vjeçare. Gjatë qëndrimit në banesë, ajo është sulmuar nga ish-bashkëshorti, i cili dyshohet se e ka goditur me thikë në qafë.
Në momentin e krimit, vajza 16-vjeçare ndodhej në një dhomë tjetër të banesës. Ajo ka qenë personi që ka njoftuar autoritetet për ngjarjen.
Pas sulmit, viktima është transportuar në spital nga djali i saj, por mjekët nuk kanë mundur ta shpëtojnë për shkak të plagëve të rënda.
Autori tentoi t’i jepte fund jetës
Pas krimit, 53-vjeçari dyshohet se ka tentuar të vetëvritet. Sipas mediave greke, ai është vetëplagosur dhe ka konsumuar naftë.
Bujar Meço ndodhet aktualisht i shtruar në spital dhe raportohet se është jashtë rrezikut për jetën. Pas marrjes së trajtimit mjekësor, ai pritet të përballet me procedurat e drejtësisë greke për vrasjen.
Konflikte të mëparshme mes çiftit
Emsa dhe Bujar Meço kishin kohë që ishin ndarë, ndërsa sipas të dhënave të publikuara nga mediat greke, mes tyre kishte pasur probleme dhe tensione edhe më herët.
Në vitin 2022, Emsa Meço kishte denoncuar bashkëshortin për kërcënim. Pas kallëzimit, ai ishte arrestuar dhe ishte dërguar përpara autoriteteve gjyqësore.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe dinamikën e krimit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






