Transmetuar më 26-08-2026, 18:34

TIRANË — Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur të përcaktojë pagën referuese bazë për magjistratët, duke i hapur rrugë rritjes së pagave të gjyqtarëve dhe përllogaritjes së diferencave financiare të prapambetura.

Vendimi u miratua unanimisht këtë të mërkurë nga të 11 anëtarët e KLGJ-së dhe vjen në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e trupës gjyqësore.

KLGJ ka përcaktuar se, duke nisur nga 1 gushti 2026, paga bazë e gjyqtarëve do të llogaritet mbi bazën e pagës së kategorisë së lartë drejtuese në administratën publike.

Sipas vendimit, paga e pozicionit do të jetë 222,425 lekë, ndërsa kësaj shume do t’i shtohet edhe 14,000 lekë si shtesë për nivelin e kualifikimit. Efekt prapaveprues për më shumë se tre vite Vendimi nuk kufizohet vetëm te pagat në fuqi nga gushti i këtij viti. KLGJ ka parashikuar edhe përllogaritjen e diferencave financiare të prapambetura.

Departamenti i Buxhetit dhe njësitë përgjegjëse financiare pranë gjykatave të të gjitha niveleve janë ngarkuar të përllogarisin efektin financiar për periudhën 1 prill 2023 – 31 korrik 2026.

Kjo do të thotë se gjyqtarët do të përfitojnë edhe diferencat e pagave që rezultojnë nga rillogaritja për më shumë se tre vjet.

KLGJ ngarkon Ministrinë e Financave Në vendimin e tij, KLGJ ka ngarkuar Ministrinë e Financave për të garantuar mbulimin e nevojshëm buxhetor për zbatimin e vendimmarrjes.

Me këtë hap, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka nisur zbatimin e vendimit kushtetues për pagat e magjistratëve, pa pritur një ndërhyrje të mëtejshme nga Kuvendi apo qeveria.

Vendimi pritet të sjellë një efekt financiar të konsiderueshëm në buxhet, pasi krahas pagave të reja do të duhet të përballohen edhe detyrimet e prapambetura për periudhën e përcaktuar nga KLGJ.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit