

Esma Meço humbi jetën pas plagëve të marra me thikë, ndërsa bashkëshorti i saj, Bujar Meço, ndodhet në spital dhe raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Detaje të reja janë bërë të ditura për ngjarjen e rëndë të ndodhur këtë të mërkurë në Greqi, ku një grua shqiptare u vra brenda banesës së familjes.
Viktima është identifikuar si Esma Meço, 44 vjeçe, ndërsa bashkëshorti i saj, Bujar Meço, 53 vjeç, dyshohet se e ka goditur me thikë pas një konflikti mes tyre.
Çifti, me origjinë nga Gramshi, jetonte prej vitesh në Greqi dhe kishte tre fëmijë. Sipas informacioneve paraprake, konflikti i fundit ka ndodhur në prani të fëmijëve.
Pas ngjarjes, vajza e çiftit ka njoftuar policinë greke. 44-vjeçarja nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Pas sulmit, Bujar Meço dyshohet se ka konsumuar karburant në përpjekje për t’i dhënë fund jetës. Ai është transportuar me urgjencë në spital, ku raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Kishte pasur probleme edhe më herët
Hetuesit grekë po përpiqen të zbardhin rrethanat e plota të krimit dhe motivin që çoi në përshkallëzimin e konfliktit.
Sipas të dhënave paraprake, bëhet fjalë për një marrëdhënie të shoqëruar edhe më herët nga konflikte.
Në vitin 2022, kur çifti ndodhej në Heraklion të Kretës, Esma Meço kishte bërë kallëzim ndaj bashkëshortit për kërcënim. Në atë kohë, Bujar Meço ishte arrestuar nga autoritetet greke.
Ky episod i mëparshëm është rikthyer në vëmendjen e hetuesve, të cilët po verifikojnë nëse ngjarja e sotme lidhet me një histori të gjatë konfliktesh brenda familjes.
Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar dinamikën e saktë të ngjarjes dhe rrethanat që çuan në vrasjen e 44-vjeçares.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






