Transmetuar më 26-08-2026, 16:01

Vajza e madhe e familjes njoftoi policinë pas ngjarjes së rëndë në Rodopi. Çifti me origjinë shqiptare kishte tre fëmijë.

Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Rodopit në Greqi, ku një 53-vjeçar dyshohet se ka vrarë me thikë bashkëshorten e tij 44-vjeçare brenda banesës së familjes.

Sipas informacioneve paraprake, konflikti mes çiftit ka përshkallëzuar dhe ka përfunduar në një ngjarje tragjike. Në momentin e sulmit, në banesë ndodheshin edhe tre fëmijët e çiftit, të cilët dyshohet se kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes.

Pas krimit, vajza e madhe e familjes ka telefonuar policinë për të kërkuar ndihmë. Forcat e rendit dhe ekipet e emergjencës kanë mbërritur në banesë, ndërsa 44-vjeçarja është transportuar me urgjencë në spital.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për t’i shpëtuar jetën, gruaja nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.

Tre fëmijët ishin në banesë

Çifti, me origjinë nga Shqipëria, kishte tre fëmijë, dy prej të cilëve madhorë dhe një 16-vjeçar.

Ngjarja është duke u hetuar nga autoritetet greke, të cilat po punojnë për të përcaktuar dinamikën e plotë të konfliktit dhe rrethanat që çuan në vdekjen e 44-vjeçares.

Sipas raportimeve të mëparshme, pas sulmit 53-vjeçari dyshohet se ka konsumuar naftë në përpjekje për të kryer vetëvrasje. Ai është dërguar në spital, ku po merr trajtim mjekësor.

Policia ka sekuestruar gjithashtu dy thika në vendngjarje, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve kriminalistike.

Një tjetër krim që përfshiu një çift shqiptar

Ngjarja në Rodopi vjen pak ditë pas një tjetër krimi të rëndë në Athinë, ku një shqiptar dyshohet se vrau me armë zjarri një 45-vjeçare shqiptare dhe më pas kreu vetëvrasje.

Në atë rast, sipas raportimeve të mediave greke, hetimet nxorën në pah një histori konfliktesh dhe kërcënimesh të mëparshme mes dy personave.

Autoritetet greke vijojnë hetimet për të dyja ngjarjet, ndërsa për rastin në Rodopi pritet të zbardhen më shumë detaje mbi motivin dhe rrethanat e krimit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit