

Kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandroković, ka bërë një deklaratë të fortë gjatë konferencës së ambasadorëve, konsujve dhe atasheve ushtarakë kroatë, duke tërhequr vëmendjen e partnerëve perëndimorë mbi zhvillimet e sigurisë në rajon.
Paralajmërimi për armatimin e Serbisë Jandroković vuri theksin te rritja e kapaciteteve ushtarake të Serbisë, duke theksuar se Beogradi nuk po pajiset vetëm me mjete mbrojtëse, por po blen hapur armatim me natyrë ofensive dhe sulmuese. Sipas tij, ky zhvillim nuk duhet të kalojë në heshtje dhe Kroacia ka detyrimin t’ua bëjë të qartë këtë aleatëve perëndimorë.
“Serbia po armatoset jo vetëm me armë mbrojtëse, por edhe me armë ofensive dhe sulmuese. Dhe ne duhet t’ua themi këtë aleatëve tanë perëndimorë. Nuk duhet të shmangemi nga kjo,” u shpreh ai. Nevoja për forcimin e sigurisë evropiane dhe sfidat në rajon Kryetari i Parlamentit kroat theksoi se rendi ndërkombëtar po ndryshon dhe Evropa duhet të forcojë urgjentisht sigurinë e saj dhe shtyllën evropiane brenda NATO-s. Ai kritikoi faktin se për dekada me radhë shtetet evropiane kanë neglizhuar mbrojtjen e tyre, duke u mbështetur verbërisht te mbështetja e Shteteve të Bashkuara.
Gjithashtu, Jandroković u ndal te mungesa e njohurive nga elitat e reja politike perëndimore rreth historisë së Ballkanit Perëndimor, duke kujtuar se gjeneratat e reja në Perëndim shpesh nuk kanë kujtesën e politikave të Sllobodan Millosheviqit dhe pasojave të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, gjë që kërkon një angazhim më të madh diplomatik të Zagrebit për t’i informuar saktë partnerët ndërkombëtarë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






