

Ish-ambasadori amerikan dhe ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William G. Walker, ka hyrë në diskursin politik rreth zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, duke propozuar zyrtarisht Faton Bislimin si kandidat për postin e Presidentit të Kosovës.
Përmes një letre të hapur dërguar katër liderëve kryesorë politikë – kryetarit të LVV-së Albin Kurti, kryetarit të PDK-së Bedri Hamza, kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku dhe kryetarit të AAK-së Ardian Gjini – Walker ka shprehur shqetësimin e tij për bllokadën dhe krizën politike lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit.
Pse e propozon Walker Faton Bislimin?
Në letrën e tij, Walker thekson se pavarësisht emrave të ndryshëm që qarkullojnë në publik, asnjëri prej tyre nuk i përmbush të gjitha kriteret e duhura sa i përket përvojës, personalitetit dhe aftësive udhëheqëse ashtu si Bislimi, të cilin ai e njeh prej vitesh.
“Nuk kam asnjë dyshim për pavarësinë e mendimit të Tonit dhe për aftësinë e tij për të shprehur qëndrimin e tij mbi çdo temë. Sipas mendimit tim, i vetmi ndër emrat e mundshëm, Toni i zotëron të gjitha aftësitë e nevojshme – si dhe personalitetin që u përshtatet atyre – për të qenë një President i suksesshëm,” shkruan ndër të tjera ish-ambasadori amerikan.
Faton Bislimi, i njohur gjerësisht si lobues i çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, vlerësohet nga Walker si figura e duhur që do të mund të përfaqësonte shtetin në tërësi, pa u kufizuar nga agjendat partiake. Propozimi i tij vjen në një kohë kur partitë politike po zhvillojnë konsultime intensive për të arritur një konsensus për presidentin e ri të vendit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






