

Pas konfirmimit të rastit të parë me Ethet e Nilit Perëndimor në Shqipëri, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka nisur zyrtarisht hetimin epidemiologjik dhe entomologjik në qarkun e Korçës.
Një ekip i specializuar nga Tirana ka mbërritur në terren për të kryer depistimin në vatër, me qëllim identifikimin e pranisë së mushkonjës bartëse të virusit dhe marrjen e masave urgjente të kontrollit. Rasti i konfirmuar i përket një 72-vjeçari nga qyteti i Korçës, i cili po merr trajtimin mjekësor të nevojshëm në Spitalin Rajonal të Korçës. I moshuari dyshohet se është pickuar nga një mushkonjë gjatë kohës që qëndronte në një lulishte të qytetit, ku kalonte një pjesë të konsiderueshme të ditës, përpara se të shfaqte shqetësimet shëndetësore që çuan në konfirmimin e infeksionit përmes analizave laboratorike.
Në kuadër të masave parandaluese, specialistët e ISHP-së po vijojnë hetimet në zona të ndryshme për të përcaktuar shkallën e përhapjes së mushkonjës transmetuese. Pritet që shumë shpejt të ndërhyhet me operacione të dedikuara për dezinfektimin dhe trajtimin e zonave të identifikuara si më të rrezikuara në qytet.
Autoritetet shëndetësoje kujtojnë se Ethet e Nilit Perëndimor transmetohen te njerëzit përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Ndërkohë që në shumicën e rasteve infeksioni kalon pa simptoma ose me shenja të lehta si temperaturë, dhimbje koke e muskuj, në raste të rënda ai mund të prekë sistemin nervor, duke kërkuar vëmendje të rreptë mjekësore dhe monitorim të vazhdueshëm të situatës në terren.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






