Transmetuar më 26-08-2026, 10:11

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Institucionin e Ekzekutimit të Veprave Penale (IEVP) Fier, ku ka ndërruar jetë i dënuari Ardjan Malasi, 58 vjeç, banues në Ballsh. Sipas të dhënave paraprake nga institucionet kompetente, shkaku i dyshuar i humbjes së jetës është një hemorragji cerebrale, ndërsa pritet përfundimi i autopsisë mjeko-ligjore për përcaktimin e plotë dhe zyrtar të rrethanave të vdekjes.

I ndjeri ishte transferuar në burgun e Fierit më 16 korrik 2026, pasi kishte lënë ambientet e paraburgimit "Jordan Misja" në Tiranë, pas marrjes së formës së prerë të vendimit gjyqësor nga Gjykata e Posaçme (GJKKO). Ai ishte dënuar me 8 vite burgim në regjim të sigurisë së lartë për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Nga totali i dënimit të dhënë prej 8 vitesh, 58-vjeçari kishte shlyer tashmë 4 vite, 1 muaj e 18 ditë burgim, duke llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, ndërkohë që i kishin mbetur edhe rreth 3 vite e 10 muaj për të përfunduar vuajtjen e dënimit. Trupi i të ndjerit i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore, ndërsa autoritetet po ndjekin të gjitha procedurat standarde ligjore për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit