

Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admirali George Wikoff, ka deklaruar se vendimet lidhur me praninë e trupave të KFOR-it në urën mbi lumin Ibër bazohen ekskluzivisht në vlerësimet e situatës së sigurisë të bëra nga vetë aleanca. Ai ka theksuar se vendimi nëse ura duhet të hapet përfundimisht për qarkullimin e automjeteve apo jo, i takon plotësisht Bashkimit Evropian dhe autoriteteve përkatëse të Kosovës.
Duke sqaruar kufijtë e mandatit të misionit paqëruajtës, admirali Wikoff u shpreh se KFOR-i nuk ka autoritet apo mandat për të përcaktuar nëse ura duhet të hapet apo jo. Sipas tij, kjo kompetencë u takuje institucioneve të Kosovës dhe BE-së, pasi KFOR-i të ketë përfunduar tërheqjen e pranisë së tij të përhershme në vetë urë, duke lënë megjithatë personel të pranishëm në zonat përreth.
Në komunikatën e shpërndarë nga KFOR-i thuhet gjithashtu se zbatimi i ligjit dhe rendit nuk përfshihet në mandatin e tyre. Megjithatë, misioni vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me organizatat e sigurisë në Kosovë, përfshirë Policinë e Kosovës, për të garantuar standarde të larta operacionale dhe trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet. Kujtojmë se më 10 gusht 2026, KFOR-i njoftoi fillimin e tërheqjes graduale të pranisë së përhershme nga ura e Ibrit, si dhe integrimin gradual të policisë në sigurinë e manastirit të Deçanit.
Këto deklarata vijnë në një kohë kur situata rreth urës së Ibrit vazhdon të mbetet e ndjeshme në rrafshin politik. Të shtunën, kryeministri në detyrë Albin Kurti kishte paralajmëruar një takim me komandantin e KFOR-it pikërisht për çështjen e hapjes së urës për automjete, një takim i cili më vonë u njoftua nga misioni paqëruajtës se është anuluar.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






