

26 gusht 2026 – Trafiku i rënduar në aksin Tiranë–Elbasan po kthehet në një problem të përsëritur për qytetarët dhe bizneset e Juglindjes së vendit. Në fundjavë, radhët e mjeteve përgjatë këtij aksi arrijnë në kilometra, duke zgjatur ndjeshëm kohën e udhëtimit drejt Elbasanit, Pogradecit, Korçës dhe qyteteve të tjera të juglindjes.
Gjatë një vëzhgimi të kryer të premten, më 21 gusht, u konstatua se trafiku nis që në zonën e fshatit Shijon. Rreth orës 16:40, për të përshkuar vetëm 3 kilometrat nga Shijoni deri te rrethrrotullimi i Bradasheshit nevojiteshin rreth 30 minuta.
Në kushte normale, kjo distancë përshkohet për rreth 4–5 minuta, ndërsa trafiku e zgjat udhëtimin deri në 6–7 herë më shumë. Edhe pas Bradasheshit, lëvizja vijon me vështirësi, ndërsa për të mbërritur deri te Unaza e Elbasanit nevojiten edhe rreth 15 minuta të tjera.
Trafiku po ndikon edhe te turizmi në Pogradec
Vështirësitë në qarkullim duket se po reflektohen edhe te frekuentimi i qyteteve juglindore nga turistët vendas.
Në Pogradec, bizneset raportojnë se kërkesa nga turistët e huaj për akomodim, restorante dhe aktivitete turistike është në rritje, veçanërisht nga vizitorët nga Franca dhe SHBA. Ndërkohë, një tjetër tendencë vihet re te turistët vendas.
Vizitorët nga Tirana dhe Elbasani po shfaqen më pak në Pogradec krahasuar me 2–3 vitet e mëparshme. Bizneset e lidhin këtë rënie, ndër të tjera, edhe me trafikun e rënduar në aksin Tiranë–Elbasan.
Përfaqësues të vilës “Bimbli”, e cila ndër vite ka pasur kryesisht pushues vendas, thonë se numri i vizitorëve nga Tirana ka rënë, veçanërisht gjatë muajit korrik.
“Ka ende pushues që vijnë nga Tirana, por numri i tyre nuk është si vitet e mëparshme”, shprehen përfaqësuesit e biznesit, duke e renditur trafikun e rënduar në autostradën Tiranë–Elbasan si një nga faktorët që mund të ketë ndikuar në këtë tendencë.
Rënie të frekuentimit nga Tirana dhe Elbasani raportojnë edhe bizneset që ofrojnë aktivitete sportive në liqenin e Pogradecit. Një prej operatorëve që disponon varka për vozitje thotë se kjo tendencë vijon prej dy vitesh, ndërsa turistët vendas vijnë kryesisht nga Maliqi, Përrenjasi dhe Korça.
Trafiku rëndohet gjatë fundjavës
Problematika është veçanërisht e theksuar nga e premtja deri të dielën në mbrëmje. Trafiku i rënduar haset edhe gjatë kthimit drejt Tiranës, pavarësisht pranisë së forcave të policisë rrugore pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit.
Sipas raportimeve të drejtuesve të mjeteve, situata mbetet problematike edhe në orët e vona të mbrëmjes, përfshirë oraret 22:00–22:30 të së dielës.
Për të shmangur trafikun, disa drejtues zgjedhin rrugën e vjetër të Qafë Kërrabës. Megjithatë, edhe kjo alternativë nuk e zgjidh plotësisht problemin, pasi trafiku vijon në hyrje të Elbasanit dhe deri në përfundimin e unazës së qytetit.
Bypass-i i Elbasanit shihet si zgjidhje
Fluksi i lartë i automjeteve gjatë fundjavave, i shtuar edhe nga ngarkesa e krijuar prej punimeve për autostradën Elbasan–Qafë Thanë, ka rikthyer në vëmendje nevojën për ndërtimin e Bypass-it të Elbasanit.
Sipas ekspertëve, kjo ndërhyrje është e domosdoshme për të lehtësuar trafikun në një prej korridoreve kryesore të lëvizjes në vend dhe për të përmirësuar qarkullimin drejt juglindjes.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






