

KORÇË – Kisha e Shën Thanasit në fshatin Sinicë të Korçës është bërë pre e një akti vandalizmi nga persona ende të paidentifikuar.
Autorët kanë hyrë brenda objektit të kultit dhe kanë dëmtuar ikona dhe objekte të shenjta, ndërsa në ambientet e brendshme të kishës është hedhur edhe çimento.
Ngjarja është denoncuar nga banorët dhe dashamirësit e fshatit, të cilët prej vitesh kujdesen vullnetarisht për mirëmbajtjen e kishës, e pozicionuar rreth 1,300 metra mbi nivelin e detit.
Banorët e Sinicës e kanë dënuar aktin, duke theksuar se dëmtimi i kishës nuk prek vetëm një objekt me vlera historike dhe fetare, por edhe traditën e bashkëjetesës fetare në zonë.
Sipas tyre, Kisha e Shën Thanasit është respektuar ndër vite si nga komuniteti i krishterë, ashtu edhe nga ai mysliman. Në të kaluarën, banorët e zonës janë angazhuar së bashku për mirëmbajtjen dhe rindërtimin e objektit, pavarësisht përkatësisë fetare.
Banorët u kanë bërë thirrje autoriteteve që të zbardhin ngjarjen, të identifikojnë dhe të vënë përpara drejtësisë autorët.
Ata kërkojnë gjithashtu marrjen e masave për restaurimin e kishës dhe forcimin e mbrojtjes së këtij objekti me vlera historike, kulturore dhe fetare.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






