Transmetuar më 25-08-2026, 22:49

GREQI – Autoritetet greke kanë goditur një rrjet të dyshuar për trafikimin dhe shpërndarjen e kokainës në ishullin e Mykonosit. Në pranga kanë rënë 9 persona, shqiptarë, grekë dhe turq, të cilët dyshohet se përdornin kompanitë e transportit të turistëve si mbulesë për aktivitetin e paligjshëm.

Sipas mediave greke, grupi kishte në përdorim tre kompani private transporti, përmes të cilave anëtarët lëviznin në zona të ndryshme të ishullit pa ngjallur dyshime. Kompanitë dyshohet se përdoreshin gjithashtu për të kamufluar të ardhurat dhe për pastrimin e parave.

Operacioni është zhvilluar më 21 gusht. Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar lloje të ndryshme droge, shuma parash dhe 7 furgonë që dyshohet se përdoreshin nga grupi.

Hetimet kanë zbuluar se të dyshuarit përdornin fjalë të koduara për lëndët narkotike. Kokaina rozë dyshohet se quhej “garniturë rozë”, “me ngjyra” ose “recetë sekrete”, ndërsa kokaina e zakonshme referohej si “klasike”, “vezë” ose “vajza”.

Sipas autoriteteve, një gram kokainë e zakonshme shitej për 120 deri në 150 euro, ndërsa kokaina rozë për 170 deri në 200 euro. MDMA shitej për 60 deri në 80 euro për gram.

Në kuadër të hetimit janë zbardhur edhe disa përgjime telefonike. Në një komunikim të 19 korrikut, dy persona dyshohet se flasin me kode për vendndodhjen e lëndës narkotike në një automjet.

Hetimet kishin nisur në fillim të korrikut pas informacioneve për një organizatë që vepronte mes Atikës dhe Mykonosit. Në qendër të hetimit ishte edhe përgjimi i një personi jo grek, i njohur me pseudonimin “ISA”.

Sipas një zyrtari të Prokurorisë greke, kompanitë e transportit përdoreshin për të fshehur aktivitetin e paligjshëm dhe për t’u dhënë anëtarëve të grupit akses te një numër i madh turistësh dhe vizitorësh në ishull.

Përveç parave cash, grupi dyshohet se përdorte edhe terminale POS, llogari të Revolut dhe sistemin e pagesave IRIS. Sipas hetuesve, këto mjete shërbenin për të paraqitur pagesat si transaksione të ligjshme për shërbime transporti dhe për të justifikuar të ardhurat.

Të 9 të arrestuarit pritet të dalin të enjten e ardhshme para hetuesit, ku do të japin deklarimet e tyre. Hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit të rrjetit vijojnë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit