

Legjenda e muzikës country, Dolly Parton, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare, pas një karriere që zgjati më shumë se gjashtë dekada dhe që e bëri një nga emrat më të njohur të muzikës amerikane.
Lajmi për vdekjen e saj u bë i ditur të martën nga nipi i saj, Bryan Seaver, përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale.
Pas njoftimit, reagimet nisën të vijnë nga politika, muzika dhe publiku në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti amerikan Donald Trump reagoi përmes Truth Social, duke e përshkruar ndarjen nga jeta të Parton si një humbje për miliona njerëz. Në nderim të këngëtares, ai njoftoi gjithashtu se flamujt amerikanë do të ulen në gjysmështizë në të gjithë vendin për një javë.
“Me hidhërim të madh njoftoj se Dolly Parton, një nga këngëtaret më të mëdha të muzikës country të të gjitha kohërave, sapo ka ndërruar jetë. Kjo është një humbje e vërtetë për miliona njerëz. Nuk ka pasur kurrë askënd si ajo dhe nuk do të ketë kurrë më”, shkroi Trump.
Mesazhin e tij ai e mbylli me: “Pusho në paqe, Dolly! Bota të do.”
Dolly Parton u bë një nga figurat kryesore të muzikës country, me një karrierë që përfshiu më shumë se 60 vite. Ajo u njoh në mbarë botën për këngë si “Jolene”, “9 to 5” dhe “I Will Always Love You”.
Gjatë karrierës, Parton fitoi 11 çmime Grammy dhe shiti më shumë se 100 milionë disqe.
“I Will Always Love You” u kthye në një nga këngët më të njohura të muzikës botërore edhe përmes interpretimit të Whitney Houston në vitin 1992.
Por ndikimi i Parton nuk u kufizua vetëm te muzika. Ajo u përfshi gjerësisht në veprimtari filantropike, veçanërisht përmes programit Imagination Library, që shpërndan libra falas për fëmijët.
Vdekja e saj ka sjellë reagime të shumta në SHBA dhe në vende të tjera, ndërsa figura të muzikës, politikës dhe kulturës kanë kujtuar karrierën dhe kontributin e saj.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






