

Për herë të parë, një qeveri guxon t’i çjerrë maskën tregtarëve që lozin me çmimet duke i mbajtur ato jo sipas normave të arsyeshme të fitimit, por sipas preferencës së tyre sa më fitimprurëse duke shfrytëzuar ndërsa të tjera rutinën dhe besnikërinë e klientëve.
Qeveria e vendit fqinjë, Greqi, ka nxjerrë në qershor një aplikacion i cili ballafaqon çdo ditë çmimet e mbi 10 mijë produkteve në të gjitha hipermarketet dhe zinxhirët e supermarketeve në territorin grek, raporton noa.al.
Për më tepër, shikohen dhe si janë lëvizur çmimet për secilin dyqan gjatë 60 ditëve të fundit për çdo produkt.
Po ashtu, çmimet e produkteve të supermarketeve në Greqi, ballafaqohen në kohë reale në aplikacion edhe me çmimet vende të Bashkimit Evropian, për të orientuar konsumatorët se sa kushtojnë gjërat që blejnë.
Gjashtë kategoritë kryesore janë ushqim, pije, pastrim, kujdes personal, produkte për foshnje dhe produkte për kafshë shtëpiake.
“Kjo risi duket se është ndër nismat pioniere në Europë dhe ka dhënë efekte të shpejta. Aktualisht ka një ulje mesatare prej 7 për qind dhe reduktim çmimesh në nivele të ndryshme për çdo produkt.
Ministri i Zhvillimit Takis Theodorikakos, tha dje për mediat vendase se janë ulur me të paktën 7 për qind çmimet për 750 produkte nga 62 industri në 10 zinxhirë supermarketesh.
"Beteja për çmime më të mira nuk zhvillohet vetëm përmes kontrolleve dhe gjobave, por edhe përmes transparencës dhe ndërgjegjësimit të konsumatorëve", tha qeveria greke në një deklaratë për mediat.
Çfarë ndodhte deri dje
Shumë njerëz kanë preferencën e tyre për të bërë pazaret dhe ata më së shumti zgjedhin një markë supermarketesh. Në rutinën e tyre të blerjeve ata nuk janë shumë të vëmendshëm se si janë çmimet në markete të tjera dhe deri diku i besojnë tregtarit të tyre. Shtoji kësaj dhe kartat e besnikërisë që aplikojnë supermarketet si një skemë për ti mbajtur të lidhur klientët, si dhe ofertat e herëpashershme.
Mirëpo shpesh është vënë re se çmimet janë të ndryshme në supermarkete të ndryshme edhe pse është i njëjti produkt i të njëjtës markë.
Batërdia me çmimet në Shqipëri dhe problematikat që tek ne nuk mbarojnë
E ndërsa në Greqi, konkurrenca në zinxhirët e supermarketeve është shumë e lartë, në Shqipëri tregu është kapur nga 2-3 rrjete marketesh dhe disa të tjera më të vogla. Që të gjitha mbajnë çmime ndjeshëm më të larta se fqinjët tanë brenda dhe jashtë BE dhe akoma më të larta se në vende të tjera evropiane.
Disa lozin me çmimet duke spekuluar me faktin se janë prodhime fjala vjen italiane ose amerikane dhe tregtojnë të njëjtin produkt, të të njëjtës markë, deri dyfishin e çmimit më shumë. Kjo ndodh edhe pse në vendet e origjinës ato janë ndjeshëm më të ulëta.
Në morinë e problemeve që kanë supermarketet e Shqipërisë, është padyshim edhe kaosi me çmimet e ekspozuara në vitrina dhe atyre që kalojnë në kasë, duke bërë që konsumatorët të paguajnë në disa raste më shumë nga sa presin sipas çmimit të ekspozuar. Disa thonë se kjo është strategji dhe e qëllimshme për të rritur fitimet e tregtarëve.
Kjo ka bërë një numër të konsiderueshëm shqiptarësh të zhvendosin paratë e tyre të blerjeve drejt vendeve ku dukshëm produktet janë më lirë dhe cilësia më e lartë. Një sondazh i noa.al tregoi se sidomos banorët e zonave kufitare, por edhe më gjerë nga Tirana dhe rrethet, bëjnë rregullisht udhëtime drejt Kosovës, Maqedonisë, Greqisë dhe gjetkë për të bërë blerjet e tyre duke bojkotuar supermarketet në vend.
Çfarë bëri qeveria greke, që duket se po përpiqet ta kopjojë Rama
Në mesin e qershorit 2026, qeveria greke lançoi faqen e internetit dhe aplikacionin Poso kanei (Sa kushton). Ai është i disponueshëm vetëm për banorët e Greqisë. Në të janë vendosur çmimet e të paktën 10 mijë produkteve të të gjitha supermarketeve në Greqi.
Ky shërbim është një platformë për krahasimin e çmimeve të produkteve të konsumit, e cila u mundëson qytetarëve të shohin dhe të krahasojnë çmimet nga shitës të ndryshëm, të ndjekin historikun e çmimeve dhe të organizojnë blerjet e tyre përmes listave.
Duket se përvoja e krijuar në Greqi po përpiqet të zbatohet edhe në Shqipëri, sepse kryeministri Edi Rama njoftoi dje se ka në proces një plan për uljen e çmimeve.
Në një mesazh që bëri publik dje, z.Rama foli për një plan që synon përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve në Shqipëri. Ai tha se ka një plan për çështjen e çmimeve dhe tha se sipas tij, "jetojmë në një sistem ku nuk kemi asnjë eksperiencë, asnjë praktikë të përcaktimit të çmimeve nga shteti".
Duket se Rama është njohur me mënyrën si Greqia tashmë po mposht abuzimin me çmimet sepse ai tha se "kemi një plan për të bërë transparencë për qytetarin lidhur me çmimet e ushqimeve bazë", plan të cilin tha se do ta prezantojë së shpejti, pa dhënë një datë konkrete.
Çfarë duhet të dinë blerësit shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe ata që shkojnë për blerje atje
Baza e të dhënave përditësohet vazhdimisht dhe pasurohet me kode të reja dhe kategori të reja produktesh. Çmimet përditësohen çdo ditë. Përmes historikut të çmimit, përdoruesi mund të ndjekë ecurinë e çmimit të një produkti në kohë reale dhe përgjatë dy muajve të fundit.
Përmes historikut të çmimeve, përdoruesi mund të ndjekë rrjedhën e çmimit të produktit me kalimin e kohës.
Çdo blerës ka mundësi të shohë një produkt dhe përbri tij shfaqen marketet që e ofrojnë, si dhe çmimet përkatëse të shitjes, në mënyrë që përdoruesi të mund të krahasojë alternativat e disponueshme. Kur i njëjti produkt gjendet në zinxhirë shitjeje në vende europiane, shfaqen edhe çmimet përkatëse jashtë Greqisë. Vendet që mbulohen aktualisht janë kryesisht Italia, Franca, Belgjika, Rumania, Bullgaria, Qiproja dhe Spanja.
Çdo përdorues mund të krijojë deri në pesë lista, me deri në pesëdhjetë produkte në secilën listë, mund të përcaktojë sasitë që i nevojiten për secilin produkt, në mënyrë që të llogaritet kostoja reale totale e blerjeve të tij.
Me funksionin “Më gjej më lirë” shfaqen alternativa më ekonomike të produkteve brenda së njëjtës kategori, duke ndihmuar përdoruesin të ulë koston e përgjithshme të listës së tij. /noa.al
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






