Transmetuar më 25-08-2026, 21:12

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ditët para vrasjes së 45-vjeçares shqiptare Luljeta Obzova në Athinë, duke hedhur më shumë dritë mbi komunikimet dhe lëvizjet e të dyshuarit Altin Allmuça, 50 vjeç.

Sipas të dhënave të bëra publike, disa ditë para ngjarjes Allmuça dyshohet se i ka kërkuar vëllait të viktimës të takohej me të për të diskutuar rreth marrëdhënies së tij me motrën.

Vëllai i Luljetës ka refuzuar takimin, ndërsa nga komunikimi mes tyre del se Allmuça ka tentuar ta bindë se takimi nuk do të shoqërohej me konflikt.

Biseda mes Allmuçës dhe vëllait të viktimës

Sipas mesazheve të publikuara, biseda ka qenë:

Altin Allmuça: “Dua të takohemi për kafe, të flasim.”

Vëllai i Luljetës: “Për çfarë do të flasim?”

Allmuça: “Çfarë po ndodh me motrën tënde?”

Vëllai: “Nuk mendoj se duhet të takohemi të dy.”

Allmuça: “Në rregull, shoku, nuk do të vrasim njëri-tjetrin. Do të pimë vetëm një kafe.”

Vëllai: “Le ta lëmë me kaq.”

Komunikimi është bërë publik në kuadër të raportimeve mbi hetimet për vrasjen e 45-vjeçares.

Viktima kishte shprehur frikë

Sipas dëshmive të personave të afërt, Luljeta Obzova kishte shprehur më herët shqetësim për sjelljen e Allmuçës.

Ajo dyshohet se kishte ndërmarrë edhe masa për të rritur sigurinë e saj, përfshirë ndërrimin e bravave të banesës.

Vajza e viktimës u ka deklaruar autoriteteve se ishte në dijeni për marrëdhënien mes nënës së saj dhe 50-vjeçarit. Sipas saj, nëna kishte vendosur t’i jepte fund lidhjes.

Ajo e kishte përshkruar Allmuçën si një person tepër xheloz, i cili i shkaktonte vazhdimisht probleme.

Hetimet e autoriteteve greke vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa komunikimet e fundit të të dyshuarit me viktimën dhe familjarët e saj po shqyrtohen si pjesë e provave të çështjes.

Të dhënat e mësipërme bazohen në raportime dhe prova të bëra publike gjatë hetimit; përgjegjësia penale e të dyshuarit përcaktohet vetëm me vendim përfundimtar të gjykatës.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit