Transmetuar më 25-08-2026, 20:19

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka hedhur një tjetër ide të pazakontë në kuadër të përplasjeve të vazhdueshme me Kanadanë, duke deklaruar se administrata amerikane po shqyrton ndryshimin e emrit të Liqenit Ontario.

Trump sugjeroi që liqeni të quhet “Liqeni i Amerikës”, ndërsa tensionet tregtare mes Uashingtonit dhe Otavës vijojnë të jenë të larta.

“SHBA po shqyrton seriozisht ndryshimin e emrit të Liqenit Ontario në Liqeni i Amerikës, pasi nuk presim të bëjmë më shumë biznes me Ontarion”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

Liqeni Ontario shtrihet në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë. Në anën amerikane kufizohet me shtetin e Nju Jorkut, ndërsa në veri shtrihet provinca kanadeze Ontario, ku ndodhet edhe qyteti i Torontos.

Kjo nuk është hera e parë që Trump ka ndërhyrë në çështjen e emërtimeve gjeografike.

Në janar 2025, presidenti amerikan nënshkroi një urdhër ekzekutiv për përdorimin e emërtimit “Gjiri i Amerikës” në vend të “Gjirit të Meksikës” në dokumentet dhe komunikimet zyrtare të SHBA-së.

Nisma u kundërshtua nga Meksika, e cila argumentoi se Shtetet e Bashkuara nuk mund të ndryshojnë në mënyrë të njëanshme emërtimin e një hapësire detare ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, çdo ndryshim i emrit të Liqenit Ontario do të kishte kryesisht karakterin e një vendimi të brendshëm amerikan për përdorimin zyrtar të emërtimit, ndërsa emërtimi i përdorur nga Kanadaja dhe në nivel ndërkombëtar nuk ndryshon automatikisht.

Deklarata e fundit e Trump vjen në një periudhë tensionesh të shtuara mes dy vendeve, ku çështjet tregtare dhe tarifat kanë rikthyer përplasjet politike mes Uashingtonit dhe Otavës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit