Transmetuar më 25-08-2026, 20:10

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ukë Rugova, ka deklaruar se palët politike në Kosovë mund të arrijnë së shpejti një marrëveshje për emrin e presidentit të ardhshëm të vendit.

Në një prononcim për mediat, Rugova tha se pret që një emër konsensual të bëhet publik gjatë kësaj jave, duke iu referuar edhe deklaratave të kongresistit amerikan DeGuardi.

“Besoj që shpejt do të kemi një emër të një presidenti konsensual. Uroj që të jetë gjatë kësaj jave”, deklaroi Rugova.

Deputeti i LDK-së sqaroi gjithashtu se nuk është kandidat për postin e presidentit në këtë fazë, duke theksuar se, sipas tij, Kosova ka figura të tjera të përgatitura për të marrë këtë përgjegjësi.

“Unë nuk jam, atë e vendos dikush tjetër, por vetë nuk jam në këtë fazë. Besoj që ka emra të tjerë më të mirë e më të përgatitur për t’i shërbyer në këtë fazë Kosovës”, u shpreh ai.

LDK dhe VV diskutojnë emrat Deklarata e Rugovës vjen në një moment kur Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje vijojnë negociatat për zgjidhjen e ngërçit politik dhe, veçanërisht, për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Në nisje të diskutimeve, LDK-ja kishte kërkuar që posti i presidentit t’i takonte kësaj force politike, duke e konsideruar si një element të balancës institucionale.

Megjithatë, pas takimeve të fundit mes Albin Kurtit, Lumir Abdixhikut, Vjosa Osmanit dhe Lutfi Hazirit, palët kanë bërë të ditur se kanë arritur dakordësi mbi profilin e presidentit të ardhshëm.

Tashmë, sipas deklarimeve të tyre, faza e ardhshme e negociatave pritet të fokusohet te emrat konkretë që mund të marrin mbështetjen e përbashkët.

Nëse arrihet një marrëveshje, zgjedhja e një kandidati konsensual do të ishte një hap i rëndësishëm për zhbllokimin e situatës politike në Kosovë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit