

Banorët e Njësisë Administrative Xibër kanë kundërshtuar propozimin për bashkimin e Bashkisë Klos me Bashkinë Mat, gjatë dëgjesës publike të zhvilluar në kuadër të reformës së re administrativo-territoriale.
Gjatë takimit, banorët shprehën shqetësimin se një bashkim i tillë do të sillte largimin e shërbimeve administrative nga komuniteti dhe do t’i detyronte ata të udhëtonin drejt Burrelit për procedura të ndryshme.
Sipas tyre, kjo do të nënkuptonte më shumë shpenzime, kohë dhe vështirësi për banorët, veçanërisht për ata të zonave rurale.
Banorët e fshatit Ketë dhe zonave përreth kërkuan që shërbimet publike të vijojnë të jenë sa më pranë komunitetit. Ata argumentuan gjithashtu se Bashkia Klos ka potencial për zhvillim ekonomik dhe tërheqje investimesh, veçanërisht pas përmirësimit të aksesit rrugor përmes Rrugës së Arbrit.
Një prej banorëve e kundërshtoi ashpër idenë e bashkimit, duke e lidhur atë edhe me mënyrën e funksionimit të administratës vendore.
“Ne në Klos mbarojmë punë shumë më shpejt, kemi njerëzit tanë. Klosi me Burrelin do jetë si Kosova me Beogradin dhe ne atje nuk ka për të na e parë asnjë surratin.”
Banori kritikoi gjithashtu qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar se politikat e ndjekura prej tij kanë dëmtuar qytetarët.
“Popullin e ka rënuar. Ramës dua t’i them: e ke çuar vendin në greminë”, u shpreh ai.
Banorët kërkuan që çdo ndryshim i mundshëm në organizimin territorial të marrë në konsideratë aksesin e qytetarëve në shërbimet publike, distancat dhe nevojat konkrete të komuniteteve lokale.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






