

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar disa prej prioriteteve të qeverisë gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar në Pogradec, ku në fokus kanë qenë siguria, infrastruktura, shëndetësia, arsimi, bujqësia, turizmi dhe procesi i integrimit europian.
Një prej çështjeve të veçanta të ngritura nga Rama ishte marrëdhënia e administratës me qytetarët dhe mënyra e re e trajtimit të ankesave përmes sistemit “Pasqyrë Albania”.
Rama tha se synimi është që çdo qytetar të ketë mundësi ta ndjekë në kohë reale kërkesën ose ankesën e tij dhe të identifikojë institucionin apo personin përgjegjës për trajtimin e saj.
“Unë e nisa kërkesën, unë e ndjek dhe e shoh ku është dhe kush e mban përgjegjësinë”, deklaroi Rama, duke shtuar se sistemi do të mundësojë gjurmimin e kërkesës në çdo fazë të procesit.
Sipas kryeministrit, kjo mënyrë e re do të krijojë edhe një mekanizëm më të drejtpërdrejtë llogaridhënieje brenda administratës publike.
“Qytetari shikon hallin e vet në kohë reale, ku shkoi, kush e ka, ka ngecur këtu, ka ngec aty dhe sistemi e kthen tek përgjegjësi dhe aty fillon llogaridhënia”, u shpreh ai.
Prioritetet e kabinetit qeveritar
Gjatë mbledhjes u prezantuan një sërë projektesh dhe objektivash për sektorë të ndryshëm.
Siguria publike. Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari prezantoi projektin “Smart City”, i cili, sipas tij, synon transformimin e mënyrës së menaxhimit të sigurisë publike në vend.
Industria ushtarake. Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi deklaroi se punimet në kantierin e industrisë ushtarake kanë arritur në 75%, ndërsa kapaciteti i plotë pritet të nisë operimin brenda vitit. Sipas tij, aktualisht janë të punësuar 290 persona dhe numri pritet të arrijë në rreth 1 mijë punonjës deri në vitin 2027.
Drejtësia. Ministri i Drejtësisë Toni Gogu bëri të ditur se gjatë shtatë muajve të parë të vitit janë trajtuar 4,552 kërkesa për ndihmë juridike falas, rreth 21.8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ekonomia dhe biznesi. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi instrumentin “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, ndërsa tha se aplikimet do të ndiqen nga një grup pune i ngritur në ministri.
Infrastruktura. Ministri Enea Karakaçi njoftoi përparimin e projekteve hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas, Vorë-Hani i Hotit dhe Durrës-Rrogozhinë. Sipas tij, procedurat për operatorin hekurudhor në linjën Tiranë-Durrës-Rinas pritet të përfundojnë deri më 31 gusht.
Bujqësia. Ministri Andis Salla deklaroi se po punohet për krijimin e bursës së parë bujqësore, me synimin për t’u dhënë fermerëve një mekanizëm të ri për adresimin e problematikës së çmimeve.
Paketa e Maleve. Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, tha se 52 bashki kanë miratuar zonat prioritare, ndërsa në nivel kombëtar janë miratuar mbi 460 zona. Sipas tij, janë regjistruar rreth 1,900 aplikime dhe rreth 200 prej tyre kanë kaluar për vendimmarrje në këshillat bashkiakë.
Turizmi. Ministri Blendi Gonxhja raportoi një rritje prej 6.48% të aktivitetit turistik krahasuar me vitin e kaluar. Ai tha gjithashtu se hapësirat e dedikuara për publikun në bregdet janë rritur me mbi 300 mijë metra katrorë, ndërsa plazhet publike përbëjnë rreth 45% të vijës bregdetare.
Shëndetësia. Ministrja Evis Sala u ndal te reforma në onkologji, duke deklaruar se për vitin 2026 është siguruar një fond shtesë prej 26 milionë eurosh për barnat onkologjike. Sipas saj, numri i pacientëve të trajtuar për kancer është rritur me rreth 17%, rritje që ajo e lidhi me zgjerimin e përdorimit të barnave inovative dhe të indikacioneve të trajtimit.
Arsimi. Ministrja Mirela Kumbaro tha se vijon plani kombëtar për zhvillimin profesional të mësuesve dhe se për vitin akademik 2026-2027 parashikohet përfshirja e rreth 22 mijë mësuesve në fazat e specializimit.
Mjedisi. Ministri Sofjan Jaupaj deklaroi se janë funksionalizuar tetë fidanishte publike me një sipërfaqe totale prej 14 mijë metrash katrorë. Deri në qershor 2027 pritet të krijohen edhe pesë fidanishte me standarde europiane në Kukës, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier.
Integrimi në Bashkimin Europian
Procesi i integrimit europian ishte gjithashtu një prej temave kryesore të mbledhjes.
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, tha se Shqipëria synon të hartojë në shtator një strategji për të projektuar vendin në funksion të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ndërkohë, kryenegociatorja e Shqipërisë për integrimin, Majlinda Dhuka, deklaroi se, nëse procesi vijon sipas parashikimeve aktuale, Shqipëria mund të ketë në vitin 2028 draftin e traktatit të anëtarësimit dhe të nisë procesin e ratifikimit.
Në mbledhje u diskutua gjithashtu riformatimi i Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje. Ministrja Adea Pirdeni tha se ka nisur një proces skanimi me synimin që institucioni të shërbejë si një mekanizëm që pasqyron më drejtpërdrejt problematikat e qytetarëve në qeverisje.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






