

Brazili është hequr nga lista e vendeve të autorizuara nga Bashkimi Evropian për eksportin e disa kategorive të kafshëve dhe produkteve me origjinë shtazore për konsum njerëzor, përfshirë mishin e shpendëve dhe të gjedhit.
Në këtë kuadër, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka sqaruar rregullat që do të zbatohen për ngarkesat me origjinë braziliane që mbërrijnë në Shqipëri pas datës 3 shtator 2026.
Sipas AKU-së, ngarkesat me mish shpendësh dhe gjedhi për të cilat certifikata zyrtare shëndetësore veterinare është nënshkruar ose lëshuar përpara 3 shtatorit 2026, do të vijojnë të pranohen edhe nëse mbërrijnë në territorin shqiptar pas kësaj date.
Ky sqarim bazohet në interpretimin e dhënë nga përfaqësues të Komisionit Evropian gjatë një takimi të zhvilluar më 28 maj 2026 në Bruksel, ku u përcaktua se ndryshimet e reja nuk do të zbatohen në mënyrë retroaktive për eksportet e kryera përpara hyrjes në fuqi të masave.
Ndryshimi lidhet me Rregulloren Zbatuese të Komisionit (BE) 2026/1189, e cila ndryshon Rregulloren (BE) 2021/405.
AKU thekson se importi i mishit nga Brazili në Shqipëri kushtëzohet gjithashtu nga legjislacioni kombëtar dhe nga miratimi i zonave dhe stabilimenteve prodhuese nga Bashkimi Evropian.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit deklaron se do të vijojë kontrollet dhe monitorimin e ngarkesave në pikat kufitare, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






