

Një 31-vjeçar nga India është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi dyshohet se tentoi të hynte për të vjedhur në një banesë në zonën e Kombinatit. I riu u kap nga efektivët në majën e çatisë së banesës, pa mundur të depërtonte brenda.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Veli Vraniqi”, ku pronari i banesës, shtetasi me inicialet E.P., ka konstatuar një person mbi çati në orët e vona të natës. Sipas dëshmisë së tij, ai kishte dëgjuar zhurma nga jashtë dhe, pasi kishte dalë për të kontrolluar, kishte parë të dyshuarin mbi banesë.
Policia u njoftua menjëherë dhe efektivët e Komisariatit Nr. 6 mbërritën në vendngjarje, duke bërë të mundur zbritjen e 31-vjeçarit nga çatia dhe arrestimin e tij rreth orës 01:10 të 23 gushtit.
Sipas hetimeve paraprake, shtetasi indian, i identifikuar si Manpreet Nanak Chand Manpreet, dyshohet se kishte synuar të hynte në banesë përmes një dritareje të vogël në çati dhe të merrte sende me vlerë. Megjithatë, ai nuk arriti të futet në banesë.
Nga verifikimet rezultoi gjithashtu se dy ditë para ngjarjes, 31-vjeçari ishte shoqëruar në Komisariatin Nr. 6 pas një konflikti me një qytetar, të cilit dyshohet se i kishte dëmtuar xhamin e automjetit. Për këtë rast, ai ishte lënë i lirë për t’u hetuar në gjendje të lirë.
Ndaj tij është ngritur akuza për “Vjedhje” të mbetur në tentativë. Një ditë më parë, Gjykata e Tiranës, pas kërkesës së prokurorit Petrit Vukaj, vendosi masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Sipas gjykatës, masa e sigurisë është vendosur edhe për shkak të rrezikut të largimit të të dyshuarit nga Shqipëria. Gjatë seancës, 31-vjeçari nuk ka pranuar të dëshmojë, duke deklaruar se do të flasë në një moment të mëvonshëm.
Hetimet për ngjarjen vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe veprimeve të të dyshuarit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






