Transmetuar më 25-08-2026, 16:16

Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka prezantuar në Zagreb idetë paraprake të Komisionit Evropian për një rishikim të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Qasja e re synon ta përshtatë procesin me realitetin e ri gjeopolitik dhe me perspektivën e një BE-je që mund të ketë më shumë se 30 shtete anëtare.

“Bota ka ndryshuar. Dhe zgjerimi duhet të ndryshojë bashkë me të”, deklaroi Kos gjatë Konferencës së Ambasadorëve Kroatë.

Propozimet përqendrohen në katër drejtime kryesore, të cilat mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë edhe për vendet kandidate, përfshirë Shqipërinë.

1. Reformat e brendshme të BE-së

Një nga sfidat kryesore është mënyra se si do të funksionojë BE-ja nëse numri i vendeve anëtare kalon mbi 30.

Kos argumentoi se një Union më i madh do të ketë nevojë për procedura vendimmarrjeje më të shpejta dhe fleksibël. Sipas saj, disa ndryshime në funksionimin institucional mund të realizohen pa ndryshuar traktatet e BE-së, duke shmangur një proces të gjatë ratifikimi nga të gjitha shtetet anëtare.

Në këtë kuadër është hedhur ideja e kufizimit të rasteve kur një shtet i vetëm mund të bllokojë vendimmarrjen e Unionit, si dhe përdorimit më të gjerë të mekanizmit të “bashkëpunimit të zgjeruar”.

2. Kontrolle më të forta për demokracinë dhe shtetin e së drejtës

Një tjetër element i rëndësishëm është forcimi i mekanizmave që garantojnë respektimin e standardeve demokratike edhe pas anëtarësimit.

Kos paralajmëroi se BE-ja duhet të ketë instrumente më të fuqishme për të parandaluar regresin demokratik në vendet anëtare.

“Duhet të sigurohemi që nuk lejojmë të hyjnë kuajt e Trojës. Jo sot, jo pas 10 apo 20 vjetësh”, deklaroi ajo.

Megjithatë, kjo qasje ngre edhe debat mbi mënyrën se si do të ruhet parimi i trajtimit të barabartë të shteteve anëtare dhe nëse mund të krijohet një formë anëtarësimi me nivele të ndryshme të të drejtave dhe detyrimeve.

3. Integrim gradual përpara anëtarësimit të plotë

Komisioni Evropian po shqyrton gjithashtu një metodologji më graduale, e cila do t’u mundësonte vendeve kandidate të përfitonin nga disa avantazhe të tregut dhe strukturave të BE-së përpara anëtarësimit të plotë.

Sipas Kos, modeli aktual “gjithçka ose asgjë” nuk i përgjigjet më realitetit, veçanërisht duke pasur parasysh se negociatat e anëtarësimit mund të zgjasin për shumë vite.

Si shembuj të integrimit gradual janë përmendur pjesëmarrja në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe lidhja me rrjetet energjetike të BE-së. Komisionerja argumentoi se këto hapa mund të zgjerohen në të ardhmen.

Për Shqipërinë, një qasje e tillë do të nënkuptonte mundësinë për të përfituar gradualisht nga më shumë politika dhe mekanizma të BE-së, paralelisht me avancimin e reformave dhe negociatave të anëtarësimit.

4. Masa kalimtare dhe financimi

Pika e katërt lidhet me pasojat financiare dhe institucionale që do të sillte një zgjerim i ri i BE-së.

Sipas Kos, Brukseli duhet të hartojë mekanizma kalimtarë që anëtarësimi i vendeve të reja të mos krijojë tronditje në buxhetin e Unionit dhe të mos cenojë financimin e prioriteteve ekzistuese.

Çështja e financimit të vendeve të reja anëtare pritet të jetë një nga temat më të ndërlikuara në negociatat për Kornizën Financiare Shumëvjeçare të ardhshme.

Shqipëria në fokusin e procesit të ri

Në fjalimin e saj, Marta Kos përmendi edhe Shqipërinë, duke vlerësuar përparimin e vendit në përmbushjen e standardeve që lidhen me sundimin e ligjit.

Komisionerja përmendi gjithashtu progresin e Malit të Zi, përparimet teknike të Ukrainës dhe Moldavisë, si dhe rikthimin e Islandës në procesin e anëtarësimit.

Sipas Kos, BE-ja ndodhet përballë një momenti të ri për zgjerimin, të cilin ajo e krahasoi me një “Moment të Helsinkit”, në referencë të zhvillimeve që i paraprinë zgjerimit të madh të Unionit pas Luftës së Ftohtë.

Komisioni Evropian pritet të vijojë diskutimet për rishikimin e politikës së zgjerimit përpara diskutimeve të rëndësishme mes liderëve të BE-së që priten në tetor.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit