

Zbardhen detaje të reja nga tentativa për futjen e lëndëve narkotike në ambientet e paraburgimit nr. 313 në Tiranë. Sipas të dhënave paraprake, në një kontroll të kryer nga Policia e Burgjeve janë zbuluar 17 porcione me kokainë dhe 13 porcione me hashash, të fshehura brenda disa kutive makaronash në formë tubi.
Lënda narkotike dyshohet se ishte destinuar për të paraburgosurin Oltjon Asllani, i cili prej gushtit 2025 ndodhet nën masën e sigurisë “Arrest në burg”. Asllani është ndaluar më herët për akuzat e “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve” dhe “Vrasjes në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë, ndaj dy personave në zonën e Kombinatit.
Sipas informacioneve të bëra publike, Policia e Burgjeve kishte marrë më herët të dhëna se Asllani, në bashkëpunim me persona jashtë ambienteve të paraburgimit, po tentonte të fuste lëndë narkotike me qëllim shitjen e saj brenda burgut.
Në kuadër të verifikimeve, familjarët që sillnin ushqime dhe veshmbathje për të paraburgosurin ishin mbajtur nën kontroll.
Gjatë ditës së sotme, në ambientet e paraburgimit është paraqitur Seit Xhometa, i cili, përveç veshmbathjeve, kishte sjellë edhe disa kuti makaronash në formë tubi. Gjatë kontrollit të imtësishëm, efektivët konstatuan se brenda tyre ishin fshehur 17 porcione me kokainë dhe 13 porcione me hashash.
Xhometa është arrestuar në flagrancë dhe, sipas informacioneve, rezulton të jetë familjar i Oltjon Asllanit. Gjatë marrjes në pyetje, ai ka pretenduar se nuk kishte dijeni për praninë e lëndës narkotike në pakot që kishte sjellë.
Ndaj tij është ngritur dyshimi për veprën penale që lidhet me futjen e lëndëve narkotike në ambientet e burgut, ndërsa materialet hetimore pritet t’i kalojnë Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Hetimet do të vijojnë për të përcaktuar origjinën e lëndës narkotike, mënyrën e sigurimit të saj dhe personat e tjerë që mund të jenë përfshirë në tentativën për futjen e drogës në paraburgim.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






