Transmetuar më 25-08-2026, 14:45

Shoqata e Bashkive dhe e të Zgjedhurve Vendorë i është drejtuar me një letër urgjente Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, duke kërkuar monitorimin e procesit të rishikimit të Reformës Administrativo-Territoriale në Shqipëri.

Në letrën e firmosur nga kryetari Fisnik Qosja dhe drejtori ekzekutiv Arlind Hoxha, Shoqata shpreh shqetësimin për mënyrën se si është zhvilluar procesi, duke pretenduar se komisioni parlamentar e ka përfunduar punën pa realizuar të gjitha fazat e parashikuara në kalendarin zyrtar.

Sipas Shoqatës, nga 16 aktivitetet e planifikuara janë zhvilluar vetëm analizat paraprake dhe raundi i parë i konsultimeve në qarqe. Sipas saj, nuk janë realizuar disa nga fazat e tjera të parashikuara, përfshirë raundet vijues të konsultimeve, sondazhin publik, takimet me institucionet ndërkombëtare dhe publikimin e dokumentit politik me alternativat e reformës.

Shoqata thekson se nuk është kundër ndryshimit të numrit të bashkive apo rishikimit të hartës territoriale, por kërkon që çdo vendimmarrje të bazohet në një proces transparent, gjithëpërfshirës dhe në përputhje me standardet evropiane për autonominë vendore.

Në letrën drejtuar Këshillit të Evropës ngrihet gjithashtu shqetësimi për mungesën e dëgjesës së parashikuar me Bashkinë e Tiranës, ndërsa përmenden edhe kundërshtimet e shfaqura nga disa bashki që preken nga propozimet për riorganizimin territorial.

Shoqata kërkon që institucionet evropiane të vlerësojnë nëse procesi i rishikimit të reformës ka respektuar standardet për konsultimin dhe pjesëmarrjen e autoriteteve vendore dhe komuniteteve përpara marrjes së vendimit përfundimtar.

Kërkesa vjen në një moment kur rishikimi i hartës administrativo-territoriale ka rikthyer në debat çështjen e përfaqësimit vendor, funksionimit të bashkive dhe përfshirjes së komuniteteve në vendimmarrje.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit