

Pesë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në disa qarqe të vendit, ndërsa autoritetet raportojnë se situata deri në orën 14:00 të 25 gushtit paraqitet e menaxhueshme. Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë ditës janë evidentuar 11 vatra zjarri, nga të cilat pesë janë aktive, pesë nën monitorim dhe një është shuar.
Forcat operacionale vijojnë ndërhyrjen në zonat problematike, me 65 efektivë dhe dy automjete zjarrfikëse të angazhuara në terren. Në mbështetje të operacioneve janë edhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter.
Në Malin e Dajtit, në zonën mbi tunelet e Qafë Mollës, vijon operacioni për shuarjen e zjarrit. Në terren ndodhen 40 forca zjarrfikëse, shtatë efektivë të ADZM-së dhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga një helikopter. Pavarësisht se vatrat mbeten aktive, autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Ballenjë të Dibrës, zjarri vijon në një terren të vështirë shkëmbor, ku janë angazhuar pesë forca të ADZM Dibër. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Një tjetër vatër aktive është evidentuar në Qafën e Helmës, në Bulqizë, ku situata po monitorohet nga katër efektivë të MZSH Bulqizë. Sipas autoriteteve, zjarri nuk përbën rrezik për zonat e banuara.
Në Malin e Dardhës, në Librazhd, zjarri është riaktivizuar në një sipërfaqe pyjore prej rreth 7–8 hektarësh. Në terren vijojnë të jenë efektivët e MZSH Librazhd, ndërsa aktualisht nuk raportohen banesa të rrezikuara.
Ndërkohë, në Valikardhë të Bulqizës, operacioni vijon me një automjet zjarrfikës dhe gjashtë efektivë. Forcat po punojnë për izolimin e vatrës, e cila favorizohet nga erërat dhe temperaturat e larta.
Në zonat e Gjegjanit, Gojanit, Prozhmit dhe Tërbunit në Pukë, nuk raportohen më vatra aktive. Këto zona vijojnë të jenë nën monitorim nga strukturat përgjegjëse.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile, ndërsa ndërhyrjet në terren do të vijojnë deri në neutralizimin e vatrave aktive.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






