

Një operacion i ndërmarrë nga efektivët e Komisariatit të Policisë Pukë ka çuar në zbardhjen e një rasti të kultivimit të bimëve narkotike dhe në arrestimin e dy personave në flagrancë. Ngjarja është regjistruar në fshatin Berishë të Fushë Arrëzit, ku uniformat blu kanë vënë në pranga dy shtetas, konkretisht babë e bir.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, në kuadër të megaoperacionit kombëtar kundër lëndëve narkotike të koduar “Territor i Pastër”, pas kontrolleve intensive në terren dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative, u konstatua një parcelë me bimë të dyshuara Cannabis Sativa.
Në pranga ranë shtetasit T. M., 59 vjeç, dhe djali i tij Y. M., 24 vjeç, banues në fshatin Berishë. Bimët narkotike, në numër prej 172 rrënjësh, ishin kultivuar në afërsi të banesës së tyre.
Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e Policisë bënë të mundur asgjësimin e pjesës më të madhe të bimëve nëpërmjet djegies, ndërsa një pjesë e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kanë kaluar për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






