Transmetuar më 25-08-2026, 12:53

Partia Demokratike pritet të nisë shumë shpejt përgatitjet intensive për garën elektorale të bashkive në zgjedhjet vendore të vitit 2027, ku vëmendja kryesore mbetet te Bashkia e Tiranës. Në një dalje publike për mediat, kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka deklaruar se strukturat do të aktivizohen në një kohë të afërt, duke theksuar se procesi i primareve mbetet një mundësi e hapur dhe se nuk ka asnjë vendim zyrtar për t’i përjashtuar ato.

I pyetur nga gazetarët nëse mjeku dhe figura tashmë e njohur e opozitës, Ilir Alimehmeti, mund të jetë një kandidat potencial për drejtimin e kryeqytetit, Berisha e vlerësoi formalisht atë, por theksoi se gjithçka do të përcaktohet nga vendimmarrja e javëve të ardhshme.

Gara për Tiranën, pyetjet dhe përgjigjet nga Berisha: Gjithçka përcaktohet javët e ardhshme, nuk ka asnjë vendim që përjashton primaret

Sot, deputeti i PS, Erion Braçe njoftoi se po pret garën për Tiranën, të cilës do i shkojë gjer në fund, madje propozoi që kandidatin e PS për betejën vendore ta zgjedhin socialistët me votë. PD kur do e hapë garën e saj të primareve për të përzgjedhur kandidatin e saj?

Sali Berisha: PD në kohë shumë të afërt do të nisë përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm.

Çështja e hapjes së garës, ndonëse në njëfarë mënyre nuk është se nuk është punuar, është punuar, por po vazhdon puna dhe në momentin më të parë do ta shpallim.

Do të ketë përjashtim nga rregulli këtë herë për të mos zhvilluar primare, apo do i qëndroni besnik statutit?

Sali Berisha: Jo, nuk ka asnjë vendim që të përjashtohen primaret. Nuk ka.

Për këto zgjedhje, do keni kandidat të pavarur për Tiranën, apo PD do shohë mundësi brenda saj?

Sali Berisha: Gjithçka do vendoset në javët e ardhshme.

Nëse kandidati i PD do jetë politik, pra brenda strukturave të saj, a do ishte kandidat potencial për Bashkinë e Tiranës, Ilir Alimehmeti?

Sali Berisha: Ilir Alimehmeti është një personalitet i shquar i PD dhe i qytetit të Tiranës. Gjithçka do përcaktohet në javët e ardhshme.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit