Transmetuar më 25-08-2026, 12:22

Operacioni “Last Scheme” çoi në arrestimin e tre personave dhe shpalljen në kërkim të një të katërti. Në një servis u gjetën armë, 82 fishekë, automjete dhe targa

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Last Scheme”, duke zbardhur vjedhjen e ndodhur 10 ditë më parë në një banesë në Sharrë, ku u morën 2.5 milionë lekë cash dhe bizhuteri me vlerë rreth 500 mijë lekë.

Nga hetimet janë identifikuar katër persona, të cilët dyshohet se kanë vepruar të organizuar si grup. Tre prej tyre janë arrestuar, ndërsa i katërti është shpallur në kërkim. Të arrestuarit janë Leonard Sinani 26 vjeç dhe Kleand Tomja 23 e Mark Hila 37, raporton noa.al. Aktualisht  policia po punon për kapjen e A. B.

Ngjarja që çoi në nisjen e hetimit ndodhi më 14 gusht 2026, në banesën e shtetasit D. S. në Sharrë. Sipas Policisë, autorët dyshohet se morën nga banesa 2 500 000 lekë dhe bizhuteri me një vlerë prej rreth 500 000 lekësh.

Hetimet u zhvilluan nga Komisariati i Policisë Nr. 6 në koordinim me Prokurorinë.

Gjatë operacionit, policia ushtroi kontroll në një servis automjetesh në Astir, në bashkëpronësi të A. B. dhe M. H.

Brenda ambienteve u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri, tre krehra me 82 fishekë luftarakë, dy automjete, një motomjet dhe dy palë targa automjetesh.

Kontrolle u kryen edhe në banesën e K. T., ku policia sekuestroi një tjetër automjet dhe 55 000 lekë, të cilat dyshohet se kanë burim kriminal.

Në total, gjatë operacionit u sekuestruan katër mjete, arma e zjarrit dhe municioni, dy palë targa dhe shuma prej 55 mijë lekësh.

Policia vijon kërkimet për kapjen e personit të katërt të dyshuar, ndërsa hetimet vazhdojnë për dokumentimin e plotë të vjedhjes dhe për të përcaktuar nëse personat e përfshirë kanë lidhje edhe me ngjarje të tjera kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. /noa.al

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit