Transmetuar më 25-08-2026, 09:49

Shqipëria pritet të hyjë në një fazë të re të organizimit të saj vendor përmes një projektligji që parashikon kalimin nga 61 në 46 bashki. Nisma, e cila është depozituar në Kuvend nga një grup deputetësh dhe mbështetet në raportin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, synon konsolidimin e 28 bashkive ekzistuese në 13 njësi më të mëdha, duke eliminuar 15 aparate administrative paralele. Efikasiteti fiskal, optimizimi i shërbimeve publike dhe përshtatja me realitetin e ri demografik janë shtyllat kryesore mbi të cilat ngrihet kjo reformë.

Efikasiteti fiskal dhe kostoja e lartë e bashkive të vogla

Një nga argumentet më të forta të paraqitura në relacionin e projektligjit lidhet me diferencën e ndjeshme të kostos së administratës në raport me madhësinë e bashkisë. Sipas të dhënave zyrtare, bashkitë e vogla kanë mesatarisht 26 punonjës bashkiakë për 1,000 banorë, kundrejt 16 në bashkitë e mesme dhe vetëm 13 në bashkitë e mëdha. Kjo do të thotë se aparati administrativ në njësitë e vogla është rreth dy herë më i madh për frymë krahasuar me bashkitë e mëdha.

Për më tepër, relacioni evidenton se në territoret që nuk kanë një masë të mjaftueshme demografike dhe ekonomike, kostot fikse të funksionimit arrijnë nivele disproporcionale. Megjithëse dokumenti nuk jep një shifër të përgjithshme në lekë se sa do t’i kursejë buxhetit të shtetit harta e re, theksohet se eliminimi i 15 aparateve administrative do të çlirojë fonde të rëndësishme. Këto burime financiare nuk parashikohen të merren përmes shkurtimeve masive të vendeve të punës, por përmes rialokimit të personelit drejt shërbimeve direkte territoriale, sporteleve të integruara dhe strukturave të qyteteve përbërëse, ndërsa gjatë periudhës së tranzicionit garantohet plotësisht vazhdimësia e pagave dhe marrëdhënieve të punës.

Pamjaftueshmëria në mbulimin e funksioneve dhe pabarazia financiare

Problematika e strukturës aktuale nuk kufizohet vetëm te numri i punonjësve, por shtrihet edhe te aftësia reale e njësive vendore për të ushtruar kompetencat e tyre ligjore. Sipas analizës, bashkitë në rang vendi financojnë dhe ushtrojnë mesatarisht vetëm 15,8 nga 34 funksione të matshme, që përfaqëson rreth 46,3% të totalit të tyre.

Në 42 bashki të vendit mbulohen më pak se gjysma e funksioneve, dhe vetëm pesë prej tyre arrijnë të mbulojnë 24 ose më shumë funksione. Diferencat sipas madhësisë janë domethënëse: bashkitë me më pak se 10 mijë banorë mbulojnë mesatarisht 12,8 funksione, ndërsa ato me 50–150 mijë banorë arrijnë në 21,3. Funksionet më problematike për t’u mbuluar në mënyrë efikase mbeten administrimi i pyjeve, ujitja dhe kullimi, arsimi parashkollor, si dhe mbrojtja nga zjarri.

Në aspektin financiar, hendeku është gjithashtu i thellë. 47 bashki prodhojnë secila më pak se 1% të të ardhurave të veta vendore në shkallë vendi, ndërsa Bashkia e Tiranës e vetme realizon afërsisht 39% të totalit. Kjo strukturë e lë pjesën më të madhe të njësive të varura ngushtësisht nga transfertat e buxhetit qendror, duke kufizuar rëndë autonominë e tyre financiare dhe mundësinë për të realizuar investime kapitale.

Ndryshimet demografike dhe nevoja për riorganizim

Shtylla e tretë e argumentimit mbështetet te treguesit e Censusit 2023, i cili regjistroi një popullsi prej 2.402.113 banorësh, ose 15,2% më pak krahasuar me vitin 2011. Gjatë kësaj periudhe, mosha mesatare e popullsisë u rrit nga 35,3 në 42,5 vjeç, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve pothuajse u dyfishua.

Tkurrja dhe plakja e popullsisë, veçanërisht në zonat malore dhe rurale, kanë krijuar një realitet ku afro gjysma e popullsisë së gjithë vendit jeton tashmë në vetëm shtatë bashki. Sipas hartuesve të projektligjit, baza demografike mbi të cilën u ndërtua harta e vitit 2014 ka ndryshuar në mënyrë drastike, duke bërë të domosdoshëm një përshtatje të shpërndarjes së burimeve dhe përgjegjësive administrative.

Integrimi evropian dhe struktura e re e qyteteve

Konsolidimi i pushtetit vendor lidhet ngushtësisht edhe me sfidat e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Relacioni argumenton se rreth 70% e legjislacioni të BE-së zbatohet në nivel lokal. Për këtë arsye, bashki me kapacitete më të mëdha administrative, teknike dhe financiare konsiderohen më të përshtatshme për të projektuar, fituar dhe menaxhuar fondet e huaja, përfshirë fondet IPA dhe në të ardhmen fondet e kohezionit, të cilat kërkojnë ekspertizë të lartë që bashkitë e vogla aktualisht nuk mund ta sigurojnë në mënyrë të pavarur.

Për të mos cënuar identitetin dhe përfaqësimin e territoreve që humbasin statusin e bashkisë së pavarur, harta e re propozon një strukturë të ndarë në nivele: Bashki – Qytet – Njësi Administrative. Në total do të krijohen 71 qytete dhe 387 njësi administrative, ku 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet përbërës.

Ish-bashkitë që konsolidohen do të ruhen si qytete brenda bashkisë së re, me territorin dhe njësitë e tyre, të përfaqësuara përmes një nënkryetari të emëruar nga kryetari i bashkisë dhe me anëtarë në këshillin bashkiak. Megjithatë, bashkia e zgjeruar do të funksionojë si e vetmja njësi e vetëqeverisjes vendore, e pajisur me një kryetar të vetëm, një këshill, një administratë të përbashkët dhe një buxhet të unifikuar. Nëse projektligji merr miratimin e Kuvendit, zgjedhjet e ardhshme vendore të vitit 2027 do të mbahen mbi këtë hartë të re prej 46 bashkish.

Projektligji i plotë

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit