

Numri i shtetasve të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri ka shënuar një rritje të ndjeshme gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave të INSTAT, në fund të vitit në vend rezultonin 32,163 shtetas të huaj me leje qëndrimi, ose 47% më shumë se një vit më parë.
Shtetasit europianë vijojnë të përbëjnë grupin më të madh, me rreth 17 mijë persona, që përfaqësojnë 53% të totalit. Krahasuar me vitin 2024, numri i tyre u rrit me 18.5%.
Rritjen më të fortë e kanë regjistruar shtetasit nga Azia. Në vitin 2025, numri i tyre arriti në rreth 10 mijë persona, duke u rritur me 118% brenda një viti.
Ndërkohë, shtetasit nga Amerika, Afrika dhe Oqeania arritën në rreth 5,250 persona, me një rritje prej 73% krahasuar me vitin 2024.
Puna, arsyeja kryesore e qëndrimit
Punësimi mbetet arsyeja kryesore për të cilën shtetasit e huaj marrin leje qëndrimi në Shqipëri. Sipas të dhënave, lejet për arsye punësimi përbëjnë 55% të totalit.
Pas tyre renditen:
Bashkimi familjar – 20% Arsyet humanitare – 8% Studimet – 3%
Gjatë vitit 2025 është rritur edhe numri i aplikimeve të reja për leje qëndrimi. Në total, aplikimet u shtuan me 44% krahasuar me vitin 2024.
Në këtë tendencë bien veçanërisht në sy shtetasit nga India dhe Filipinet, të cilët kanë regjistruar rritje të konsiderueshme të aplikimeve.
Kjo lidhet kryesisht me kërkesën në rritje të bizneseve shqiptare për fuqi punëtore, veçanërisht në sektorët e shërbimeve, akomodimit dhe punëve shtëpiake. Ndër profesionet ku ka kërkesë për punonjës të huaj janë kamarierët, punonjësit e pastrimit, kujdestarët e fëmijëve dhe të moshuarve. Rriten edhe rastet e qëndrimit të parregullt
Paralelisht me shtimin e numrit të të huajve me dokumentacion të rregullt, janë rritur edhe rastet e shtetasve të huaj në qëndrim të parregullt.
Gjatë vitit 2025, autoritetet evidentuan 1,900 shtetas të huaj në qëndrim të parregullt, nga 1,540 raste të regjistruara një vit më parë.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një diferencë të dukshme gjinore. 65% e shtetasve të huaj me leje qëndrimi janë meshkuj, ndërsa 35% janë femra.
Sa i përket moshës, grupi më i përfaqësuar është ai 30–39 vjeç, që përbën rreth 25% të totalit.
Shifrat tregojnë një ndryshim të dukshëm në strukturën e emigracionit drejt Shqipërisë, me një rritje të veçantë të ardhjes së punonjësve nga vendet aziatike për të plotësuar nevojat në tregun vendas të punës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






