Transmetuar më 24-08-2026, 20:55

Dy mundës shqiptarë nga Shkupi, Rexhep Hajdari dhe Fati Vejseli, kanë fituar medalje të argjendta për Maqedoninë e Veriut në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

Të dy sportistët arritën deri në finalet e kategorive përkatëse, pas paraqitjeve të suksesshme gjatë turneut, por në fund u renditën në vendin e dytë.

Hajdari, medalje argjendi në 97 kg

Rexhep Hajdari garoi në kategorinë deri në 97 kilogramë, në stilin e lirë.

Në finale, mundësi shqiptar nga Shkupi u përball me grekun Dauren Kurugliev, i cili triumfoi me rezultatin 6-0.

Hajdari kishte regjistruar dy fitore gjatë rrugëtimit drejt finales, duke i siguruar Maqedonisë së Veriut medaljen e parë të argjendtë në këtë disiplinë.

Vejseli ndalet në finale pas dëmtimit

Medaljen e dytë të argjendtë për Maqedoninë e Veriut e fitoi Fati Vejseli, në kategorinë deri në 74 kilogramë.

Vejseli u përball në finale me mundësin e Shqipërisë, Islam Dudaev. Përballja u ndërpre pas një dëmtimi të sportistit shqiptar nga Shkupi. Në momentin e ndërprerjes, Dudaev ishte në epërsi.

Vejseli kishte zhvilluar një turne të suksesshëm deri në finale, duke regjistruar tri fitore.

Me dy medaljet e argjendta të Hajdarit dhe Vejselit, Maqedonia e Veriut numëron tashmë tri medalje në “Taranto 2026”: dy të argjendta dhe një të bronztë, të fituar nga Ahmad Magomedov, gjithashtu në mundje.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit