Transmetuar më 24-08-2026, 19:13

TIRANË – Pak minuta pas përfundimit të mbledhjes maratonë të kabinetit qeveritar në Pogradec, kryeministri Edi Rama ka komunikuar me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, ku ka folur për prioritetet e qeverisë dhe nismat e reja në fushën e shërbimeve publike.

Rama bëri të ditur se dokumenti strategjik “Besa” është vendosur ndër prioritetet kryesore të qeverisë, ndërsa u ndal edhe te funksioni i platformës së re “Pasqyrë Albania”.

Sipas kryeministrit, platforma nuk do të jetë thjesht një portal informues, por një mekanizëm përmes të cilit qytetarët do të mund të ndjekin në kohë reale ecurinë e punëve dhe shërbimeve publike.

“Pasqyra Albania”, sipas Ramës, synon të krijojë një komunikim më të drejtpërdrejtë mes institucioneve dhe qytetarëve, duke bërë të dukshme progresin e projekteve, arsyet e vonesave dhe përgjegjësitë e institucioneve përkatëse.

“Nuk flasim për një portal, por për një pasqyrë ku shteti do të thotë se çfarë po ndodh. Sa punë është bërë deri tani, pse po vonohet?”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha gjithashtu se gjatë mbledhjes së kabinetit është diskutuar për fusha të rëndësishme si shëndetësia dhe arsimi, duke theksuar nevojën për krijimin e një zinxhiri më të plotë të shërbimeve sociale.

“Shkon qeveria te qytetari, shkon shteti te qytetari për të mos e lënë të papërgatitur”, deklaroi Rama, duke e lidhur platformën e re me synimin për më shumë transparencë dhe informim të publikut.

Deklaratat e kryeministrit vijnë pas një mbledhjeje rreth nëntëorëshe me kabinetin qeveritar në Pogradec, ku u diskutuan bilanci i punës së ministrive dhe prioritetet për vijimin e mandatit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit