

POGRADEC – Pas rreth nëntë orësh diskutime, ka përfunduar mbledhja e Kryeministrit Edi Rama me kabinetin qeveritar në Pogradec.
Takimi i sotëm pasoi mbledhjen e një dite më parë me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe u përqendrua te bilanci i punës së ministrive, si dhe te prioritetet që do të shoqërojnë vijimin e mandatit qeverisës.
Një nga çështjet kryesore të diskutimit ishte modernizimi i shërbimeve publike dhe mënyra e trajtimit të kërkesave të qytetarëve.
Në fokus ishte edhe platforma e re “Pasqyrë Albania”, e konceptuar si një riformatim i mekanizmit të “Bashkëqeverisjes”. Sipas të dhënave të bëra publike, platforma do të funksionojë përmes dy seksioneve kryesore dhe synon që kërkesat dhe problematikat e qytetarëve të ndiqen në kohë reale.
Qeveria synon që përmes këtij mekanizmi të forcojë llogaridhënien e institucioneve publike dhe të monitorojë respektimin e afateve për trajtimin e kërkesave.
Mbledhja e zhvilluar me dyer të mbyllura pritet të shërbejë gjithashtu si një pikë orientimi për përgatitjet e mëtejshme politike dhe institucionale, përpara mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, e cila pritet të zhvillohet në fillim të shtatorit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






