Transmetuar më 24-08-2026, 18:23

Pamjet e kamerave të sigurisë, së bashku me ekzaminimin mjekoligjor dhe provat e tjera të mbledhura nga autoritetet greke, kanë ndihmuar në rindërtimin e momenteve të fundit të jetës së 45-vjeçares shqiptare Julieta Obzova, e vrarë në Nea Smyrni të Athinës.

Sipas të dhënave të raportuara nga mediat greke, 48-vjeçari Altin Allmuça dyshohet se e kishte pritur viktimën jashtë pallatit ku ajo banonte. Në momentin që 45-vjeçarja hapi derën e hyrjes, ai hyri pas saj në ambientet e ndërtesës.

Brenda pak sekondash, situata përshkallëzoi. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, Allmuça dyshohet se e goditi gruan me një ose dy shkelma, duke e rrëzuar në tokë. Më pas, ai nxori armën dhe e drejtoi në drejtim të saj.

Në momentin që pa armën, 45-vjeçarja ngriti duart në përpjekje për t’u mbrojtur. Sipas informacioneve të publikuara, kjo lëvizje mund të ketë ndikuar që plumbi i parë të mos e godiste.

Më pas, 48-vjeçari dyshohet se e tërhoqi viktimën rreth një metër dhe e qëlloi në kokë, duke i shkaktuar vdekjen.

Pas krimit, Allmuça dyshohet se e drejtoi armën ndaj vetes dhe u vetëvra. Autoritetet greke po hetojnë edhe mënyrën se si ishte siguruar arma, e cila dyshohet se mbahej në mënyrë të paligjshme.

Kamerat dhe pajisjet elektronike, në fokus të hetimit

Pamjet e kamerave të sigurisë në zonë janë një nga provat kryesore të hetimit. Ato kanë regjistruar lëvizjet e 48-vjeçarit para ngjarjes dhe, sipas informacioneve të deritanishme, tregojnë se ai kishte mbërritur më herët në zonë dhe kishte pritur viktimën pranë pallatit.

Paralelisht, autoritetet po analizojnë pajisjet elektronike të 48-vjeçarit, me qëllim zbardhjen e komunikimeve dhe të dhënave që mund të ndihmojnë në përcaktimin e rrethanave që i paraprinë krimit.

Viktima kishte vendosur t’i jepte fund lidhjes

Sipas dëshmive të mbledhura nga autoritetet, 45-vjeçarja i kishte treguar motrës së saj se kishte vendosur të ndahej nga partneri për shkak të xhelozisë së tij.

Ajo dyshohet se i kishte rrëfyer gjithashtu se burri vazhdonte të insistonte për të vijuar marrëdhënien dhe se kishte frikë prej tij.

Në mbrëmjen e ngjarjes, viktima ndodhej e vetme në banesë. Vajza e saj nuk ishte në Athinë, pasi kishte udhëtuar drejt Agrinios së bashku me xhaxhain e saj.

48-vjeçari i la bashkëshortes 1 mijë euro para krimit

Hetuesit po verifikojnë gjithashtu lëvizjet e Allmuçës përpara se të mbërrinte në Nea Smyrni.

Sipas dëshmisë së bashkëshortes së tij, para se të largohej nga banesa, 48-vjeçari i kishte dhënë 1 mijë euro dhe i kishte thënë: “Mbaji, të kesh para.”

Bashkëshortja u ka deklaruar autoriteteve se gjatë rreth 18 muajve të fundit kishte vënë re ndryshime në sjelljen e tij. Sipas saj, ai mungonte shpesh në shtëpi dhe disa netë flinte jashtë, ndërsa ajo nuk e dinte se ku qëndronte apo nëse kishte një lidhje tjetër.

Ajo dyshohet se u ka thënë gjithashtu hetuesve se kishte frikë prej tij.

Hetimi vijon për të dokumentuar plotësisht dinamikën e vrasjes, motivin dhe rrethanat që çuan në ngjarjen e rëndë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit