

Luljeta Obzova, një grua 45-vjeçare mbeti e vrarë në hyrjen e pallatit ku banonte me vajzën e saj, në Nea Smyrni, pak para orës 06:00 të mëngjesit të së dielës.
Autor i vrasjes ishte Altin Allmuça, një burrë 48-vjeçar, me origjinë shqiptare, i cili më pas e drejtoi armën ndaj vetes dhe i dha fund jetës.
Sipas të dhënave të para të hetimit, burri dhe gruaja kishin një marrëdhënie. Dyshohet se më herët kishte pasur një debat të fortë mes tyre dhe më pas burri e kishte pritur jashtë shtëpisë ku ajo banonte me vajzën e mitur. Pikërisht aty, ai i ngriti një pritë vdekjeprurëse.
Ai e qëlloi dy herë me revolver dhe më pas vrau veten. Në vendngjarje, policia gjeti gjithsej tre predha, të cilat po ekzaminohen në kuadër të hetimit.
Në profilin e tij në rrjetet sociale gjendet edhe një fotografi e 48-vjeçarit, ku ai pozon me një revolver.
E tronditur nëna e 45-vjeçares
Nëna e 45-vjeçares, e cila mbërriti në vendin e krimit, ishte e tronditur. Ajo u tha gazetarëve se nuk e njihte burrin që vrau vajzën e saj.
"Nuk e di, nuk më thanë asgjë. Tani e mora vesh. Ai ka qenë këtu për një vit me vajzën time. Unë nuk dija asgjë", tha
“Më telefonoi vajza ime tjetër dhe ma tha”, tregoi ajo duke qarë, ndërsa konfirmoi se gjatë vitit të fundit ato banonin në këtë apartament.
Për median greke foli dhe motra e të ndjerës.
“(Disa) burra janë kriminelë. Nuk janë njerëz. Janë… çfarë të them?”, tha motra e 45-vjeçares së vrarë.
Vëllezërit dhe motrat e 45-vjeçares Melina (Luljeta), duke folur për “Live News”, konfirmojnë se viktima dhe autori kishin pasur një lidhje dhe se, kur gruaja vendosi së fundmi t’i jepte fund marrëdhënies, 48-vjeçari nuk e pranoi ndarjen dhe nisi t’ia kthente jetën në ferr.
“Dhe unë i thashë: ‘Melina, dëgjo, duhet të shkosh ta denoncosh, sepse kjo çështje është shumë serioze’. Më pas ai i kishte dërguar një fotografi të një revolveri të drejtuar në ballë, duke i thënë: ‘Me këtë do të të vras edhe ty’.”
Një element që po shqyrtohet tashmë me vëmendje të veçantë është makina e 48-vjeçarit.
Oficerët e kriminalistikës po kryejnë kontrolle në automjetin e tij, i cili ishte parkuar vetëm pak metra larg pallatit ku ndodhi vrasja. Ata po kërkojnë çdo provë që mund të ndihmojë në hetim.
Sipas gjetjeve të ekzaminimit mjeko-ligjor, gruaja u qëllua ndërsa ishte në një pozicion më të ulët se 48-vjeçari. Plumbi ndoqi një trajektore poshtë dhe përfundoi i ngulur në kockat e kafkës së saj.
"Autori i krimit dyshohet se e ka goditur me shqelm, duke e detyruar të gjunjëzohej para tij, përpara se ta qëllonte. Megjithatë, gjatë ekzaminimit, në trupin e 45-vjeçares nuk u gjetën lëndime, mavijosje apo gjetje të tjera që tregojnë abuzim të mëparshëm", konstatoi ekspertiza.
Pasi qëlloi gruan, 48-vjeçari e ktheu revolen drejt tëmthit me dorën e djathtë dhe tërhoqi këmbëzën, duke i shkaktuar vetes një plagë të përtejme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






