Transmetuar më 24-08-2026, 17:45

Autoritetet ekuadoriane kanë arrestuar Pablo Adrián H. T., i njohur me nofkën “Caballo”, i cili dyshohet se kishte rol financiar në një rrjet kriminal të lidhur me mafian shqiptare dhe trafikun e kokainës drejt Evropës.

Sipas autoriteteve ushtarake të Ekuadorit, ndaj të arrestuarit kishte një urdhër arresti në fuqi për trafik droge. Ai po hetohet gjithashtu për pastrim parash dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale.

“Caballo” u arrestua gjatë një operacioni të forcave ushtarake në La Maná, në provincën e Cotopaxit. Pas ndalimit, ai u transferua në Quevedo, në provincën Los Ríos, ku iu dorëzua autoriteteve për procedurat e mëtejshme gjyqësore.

Forcat e sigurisë dyshojnë se i arrestuari kishte lidhje me një rrjet kriminal që, sipas autoriteteve ekuadoriane, drejtohej nga shqiptari Dritan Gjika. Ky i fundit u arrestua vitin e kaluar në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe pritet t’i nënshtrohet procedurave për ekstradim.

La Maná konsiderohet një zonë strategjike për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, për shkak të pozicionit të saj përgjatë korridorit rrugor të Ekuadorit qendror. Autoritetet e konsiderojnë këtë zonë të rëndësishme edhe për aktivitetet logjistike të organizatave kriminale.

Zona ndodhet prej disa muajsh nën gjendje të jashtëzakonshme, të shpallur nga presidenti Daniel Noboa për shkak të niveleve të larta të kriminalitetit dhe dhunës.

Arrestimi i “Caballo” vjen pas disa operacioneve të autoriteteve ekuadoriane kundër rrjeteve të dyshuara për trafikimin e drogës drejt Evropës. Në mars, gjykata urdhëroi paraburgimin e 14 personave të arrestuar nën dyshimin se ishin pjesë e një rrjeti që transportonte drogë drejt Evropës përmes kontejnerëve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit