

Është konfirmuar rasti i parë i Etheve të Nilit Perëndimor në Shqipëri. Rasti është diagnostikuar më 1 gusht në qarkun e Korçës dhe është konfirmuar nga epidemiologia e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Adela Vasili.
Rasti është raportuar edhe në Qendrën Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), duke e përfshirë Shqipërinë në listën e vendeve evropiane ku është evidentuar sëmundja.
Ethet e Nilit Perëndimor transmetohen te njerëzit përmes pickimit të mushkonjave të infektuara, të cilat marrin virusin kryesisht nga zogjtë ose kuajt e infektuar.
Në shumicën e rasteve, simptomat mund të ngjajnë me ato të një gripi dhe përfshijnë temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe të vjella. Në raste të rënda, infeksioni mund të prekë sistemin nervor dhe të shkaktojë encefalit.
Megjithatë, ekspertët e ISHP-së u bëjnë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë, duke theksuar se nuk ka vend për panik.
Pas konfirmimit të rastit, epidemiologët e ISHP-së kanë nisur hetimet në të gjithë qarkun e Korçës për të verifikuar praninë e mushkonjave që shërbejnë si vektorë të virusit.
Ndërkohë, institucionet u kanë bërë thirrje bashkive që të marrin masa për dezinsektimin e zonave problematike, veçanërisht aty ku ka grumbullime mbetjesh dhe ujëra të ndenjura, të cilat mund të favorizojnë shumimin e mushkonjave.
Autoritetet shëndetësore vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa masat parandaluese synojnë kufizimin e përhapjes së virusit në vend.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






