

Ish-kongresmeni amerikan Joe DioGuardi ka bërë thirrje që Kosova të zgjedhë sa më shpejt presidentin, duke paralajmëruar se zgjatja e krizës politike mund ta vendosë vendin në një situatë të vështirë.
Duke folur të hënën në Prishtinë, DioGuardi tha se ishte i pranishëm për të dhënë kontributin e tij në zgjidhjen e situatës dhe për të kërkuar që institucionet e Kosovës të kenë një president.
“Jam këtu, siç e dini, për t’u siguruar që ju të keni një president. Dhe shpresoj që kjo të ndodhë para se unë të largohem.”
Ai paralajmëroi se dështimi për zgjedhjen e presidentit mund të sjellë pasoja serioze për Kosovën, duke iu referuar edhe situatës së sigurisë në rajon.
“Nëse nuk ndodh para se të largohem, do të jeni në telashe të mëdha, sepse keni armiq që tashmë janë gati të prishin ekuilibrin në Ballkan”, deklaroi DioGuardi.
Ish-kongresmeni amerikan u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të vëmendshëm ndaj zhvillimeve politike dhe të mos e nënvlerësojnë situatën.
Deklaratat u bënë në një ditë të veçantë për Joe DioGuardin dhe bashkëshorten e tij, Shirley Cloyes DioGuardi. Të dy morën shtetësinë e Republikës së Kosovës.
Pasaportat e Kosovës iu dorëzuan nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, pasi më herët ishte firmosur edhe dekreti për dhënien e shtetësisë.
DioGuardi, një prej zërave të njohur amerikanë në mbështetje të çështjes së Kosovës, e shoqëroi marrjen e shtetësisë me një mesazh të drejtpërdrejtë për situatën politike dhe të sigurisë në vend.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






