Transmetuar më 24-08-2026, 15:09

Partia Socialiste vijon të mbështesë reformën e re territoriale, pavarësisht kundërshtimeve të shfaqura në disa zona të vendit. Drafti i propozuar parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, si dhe riorganizimin e njësive administrative.

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga drejtuesit politikë të Partisë Socialiste një angazhim më të madh në komunikimin e reformës me qytetarët. Sipas tij, bashkimi i disa bashkive nuk nënkupton zhdukjen e qyteteve apo të njësive administrative.

Megjithatë, reforma ka hasur kundërshtime edhe brenda radhëve të socialistëve. Në disa raste, kryebashkiakë dhe zyrtarë vendorë kanë shprehur rezerva për ndryshimet e propozuara.

Një prej rasteve është Bashkia Dimal, e cila sipas draftit parashikohet të bashkohet me Bashkinë Berat. Ndryshimet do të prekin edhe drejtuesit aktualë të bashkive që parashikohet të shkrihen, pasi ata nuk do të kenë mundësi të garojnë për drejtimin e këtyre njësive në zgjedhjet e vitit 2027.

Dy datat e zgjedhjeve

Miratimi i reformës territoriale duhet të përfundojë përpara dekretimit të datës së zgjedhjeve vendore nga Presidenti i Republikës.

Sipas deklarimeve të bëra nga përfaqësues të Partisë Socialiste, zgjedhjet vendore të vitit 2027 pritet të zhvillohen gjatë muajit maj. Dy datat që po diskutohen aktualisht janë 2 maji dhe 9 maji 2027.

Përfundimi i reformës territoriale dhe përcaktimi zyrtar i datës së zgjedhjeve pritet të qartësojnë përbërjen e re të hartës administrative dhe garën për drejtimin e bashkive në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit