

MALISHEVË — Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë e regjistruar mbrëmjen e së dielës në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një çift i ri u qëllua me armë zjarri brenda dhomës së tyre të gjumit.
Si pasojë e plagëve të marra, ka humbur jetën 25-vjeçarja, e cila ishte në javën e 34-t të shtatzënisë, ndërsa bashkëshorti i saj 26-vjeçar po lufton për jetën në gjendje kritike.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, incidenti ka ndodhur rreth orës 23:20. Forcat e rendit, pas njoftimit për të shtëna, mbërritën menjëherë në banesë, ku gjetën çiftin e plagosur rëndë. Të dy u transportuan me urgjencë drejt Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Përkundër përpjekjeve intensive të ekipeve mjekësore, e reja mbërriti pa shenja jete në spital. Ndërkohë, bashkëshorti i saj iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale dhe vijon të jetë nën kujdesin intensiv mjekësor, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në vendin e ngjarjes, grupi hetimor ka sekuestruar një armë zjarri që dyshohet se është përdorur në këtë ngjarje. Autoritetet kompetente vijojnë hetimet intensive nën drejtimin e Prokurorisë për të zbardhur plotësisht rrethanat, dinamikën dhe motivet e kësaj tragjedie familjare.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






