

Kryeministri Edi Rama do të mbledhë këtë të hënë ministrat në Pogradec, në kuadër të retreat-it qeveritar, një ditë pas takimit me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në qarqe dhe drejtuesit e komisioneve parlamentare.
Mbledhja do të fokusohet te bilanci i punës së ministrive dhe përcaktimi i prioriteteve për fazën e ardhshme të qeverisjes.
Takimi zhvillohet në formatin e retreat-it qeveritar, një mbledhje joformale që Rama e ka përdorur në nisje të sezonit të ri politik pas pushimeve verore.
Pas drejtuesve të PS-së, radha e ministrave
Takimi me ministrat vjen një ditë pas diskutimeve të Ramës me drejtuesit socialistë. Në qendër të atij takimi ishin dokumentet “Besa” dhe “Prania Besnike”, të prezantuara nga kryeministri në fund të korrikut, me synimin për të përcaktuar një qasje të re të Partisë Socialiste gjatë mandatit të ri qeverisës.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte platforma “Pasqyrë Albania”, e prezantuar nga socialistët për evidentimin dhe ndjekjen në kohë reale të problematikave të ngritura nga qytetarët.
Pas strukturave politike të partisë, këtë të hënë ministrat pritet të raportojnë mbi punën e bërë deri tani dhe të diskutojnë prioritetet për periudhën e ardhshme të qeverisjes.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






